Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar masë paraburgimi për një shtetas turk 35-vjeçar i dyshuar për tentim vrasje të një bashkëkombasi të tij në Shkup. Sipas njoftimit të Prokurorisë, është lëshuar urdhër për fillimin e procedurës hetimore pasi ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal.
“Mbrëmë pas mesnate, në rrugën Metropolit Teodosij Gologanov në Shkup, pranë Klubit të Deputetëve, i dyshuari me qëllim ka tentuar t’i marrë jetën një shtetasi tjetër turk. Pas një debati verbal, ata kanë nisur përleshje fizike, duke shkëmbyer goditje, për pasojë i dëmtuari ka rënë në tokë i lënduar. Në atë moment, i dyshuari ka marrë një kapak metalik të një pusi dhe ka goditur disa herë viktimën në kokë. Edhe pasi viktima kishte humbur vetëdijen dhe ndodhej në tokë, i dyshuari ka vazhduar ta godasë me shqelma në kokë dhe trup. Edhe me mbërritjen e policisë, ai ka refuzuar të ndalojë derisa është neutralizuar nga efektivët, duke i shkaktuar viktimës lëndime të rënda trupore për shkak të të cilave ai është hospitalizuar në Klinikën për Neurokirurgji në gjendje kritike për jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria thekson se për shkak të rrethanave që tregojnë rrezik për arratisje – pasi i dyshuari nuk ka adresë të regjistruar në vend – si dhe mundësinë për të ndikuar në dëshmitarët apo për të përsëritur veprën penale, i është propozuar gjykatësit të procedurës paraprake që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit.
Ky incident mes shtetasve turq në Maqedoni ndodhi vetëm një ditë pas atij në Shtip, më 8 maj, ku një 21-vjeçar turk qëlloi me armë një 25-vjeçar tjetër në një kafene në qendër të qytetit.