Një vajzë gjashtëvjeçare nga Kumanova, në vend që të hipte në autobusin urban për në shtëpi, kishte hipur gabimisht në një autobus që udhëtonte për në Shkup, njoftoi sot policia duke dhënë detaje për rastin e ditës së djeshme, pas denoncimit të nënës së saj për largim nga shtëpia. Vajza u gjet në zonën e Gazi Babës në Shkup.
Nëna e vajzës, 28-vjeçarja S.T., ka paraqitur rastin më 14 prill në orën 15:00 në SPB Kumanovë, duke raportuar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia.
Sipas informatave nga SPB Kumanovë, vajza fillimisht kishte hipur në një autobus urban që transportonte pasagjerë për në qendër të Kumanovës. Më pas, gabimisht, në vend që të merrte autobusin e kthimit për në shtëpi, ajo kishte hipur në një autobus ndërurban që udhëtonte drejt Shkupit. Në kryeqytet ajo u gjet nga një kalimtar i rastësishëm.
Pas bisedës me policinë dhe kontrollit mjekësor, vajza iu kthye familjes së saj.