Trump me paralajmërim për NATO-n: Nëse anëtarët nuk paguajnë mjaftueshëm, SHBA nuk do t’i mbrojë!

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nëse vendet anëtare të NATO-s nuk financojnë mjaftueshëm mbrojtjen e tyre, SHBA nuk do t’i mbrojë.

Ai theksoi se disa vende ende nuk kontribuojnë sa duhet dhe se u ka bërë të qartë se nëse nuk tregohen të përgjegjshme, nuk mund të llogarisin në mbështetjen amerikane.

Trump gjithashtu njoftoi se mund të vizitojë Arabinë Saudite brenda një muaji e gjysmë.

Ndërkohë, i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, deklaroi se SHBA po diskuton me Ukrainën për një marrëveshje paqeje me Rusinë, dhe një takim me përfaqësuesit ukrainas është planifikuar për javën e ardhshme në Arabinë Saudite.

Trump gjithashtu konfirmoi se një zyrtar amerikan ka zhvilluar bisedime direkte me grupin militant palestinez Hamas për lirimin e pengjeve në Gaza. Ai theksoi se përpjekjet amerikane synojnë të ndihmojnë Izraelin, por SHBA nuk do të paguajë për lirimin e të burgosurve.

Presidenti amerikan shtoi se së shpejti do të marrë një vendim mbi statusin e përkohshëm ligjor të rreth 240,000 ukrainasve që janë larguar nga konflikti me Rusinë.