Biznesmeni që po bën namin në pasarelat e modës: Nuk mund të dal në Tiranë i veshur kështu

Elton Ilirjani ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë të hënë.

Supermodeli dhe sipërmarrësi e ka pranuar orientimin e tij seksual që para 10 vitesh, po në të njëjtën studio përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Megjithatë ai pranoi se Shqipëria është vend i pasigurtë për të dhe kjo është arsyeja pse mban truproja me vete. Ai u shpreh se nuk mund të dalë i veshur siç kishte ardhur në studio.

Ilirjani tha se nuk dëshiron të dëgjojë më ofendime nga njerëzit pasi nuk i meriton ato.

Blendi Fevziu: Pashë kur mbërrite erdhe me shoqërues, me truproja. Pse?

Elton Ilirjani: Sepse Shqipëria është vend i pasigurtë për mua.

Blendi Fevziu: Pse?

Elton Ilirjani: Sepse nuk mund të dal kështu i veshur në Tiranë.

Blendi Fevziu: Çfarë reagimi do kishte?

Elton Ilirjani: Reagimi mund të ishte edhe thjesht ofendues, dhe për një 44-vjeçar…

Blendi Fevziu: Unë mendoj që ofendime mund të kesh marrë sa të duash në jetë, siç mund të kesh marrë edhe mbështetje?

Elton Ilirjani: Po, por edhe nuk dua t’i dëgjoj më.

Blendi Fevziu: Pse?

Elton Ilirjani: Kam zgjedhur mos t’i dëgjoj më sepse jam 44 vjeç dhe nuk dua, nuk dëshiroj dhe nuk i meritoj ato fjalë.