Në Maqedoni partitë shqiptare sikur këpurdhat pas shiut, çdo vit nga dy?!


Në Maqedoni ende nuk janë shuar preferencat për formimin e partive politike shqiptare, numri i të cilëve ka arritur në rreth 20 parti.

Në garën politike deri tani vazhdimisht kanë dalë subjekte të reja politike, të cilët konkurrojnë me programet e tyre politike për të tërhequr elektoratin. Ditëve të fundit janë paralajmëruar dy parti të tjera Partia e Popullit dhe një parti që do të mbajë emrin Lëvizja për Iliridën, shkruan INA.

Derisa në fillim të pluralizmit politik ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), disa vite më vonë skena politike shqiptare pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik.

Përveç atyre tradicionale PDSH, BDI, DR, viteve të fundit në skenë doli LR-PDSH që u shëndërrua në Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA, Uniteti, por shpërthyen edhe fraksionet në RDK dhe PPD e vjetër, duke pasur përplasje mes tyre. Përkundër kësaj gjendje, ende nuk janë shuar preferencat për formimin e partive të reja politike.

PPD dhe “pllenimi” i partive tjera

Gjatë periudhës së fillimeve të pluralizimit politik dhe deri tani në skenën politike shqiptare kanë funksionuar dhe funksionojnë rreth 16 parti politike. Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e udhëhequr nga lideri i saj, Nevzat Halili, konsiderohet si bartëse e procesit të pluralizimit, ndërsa më vonë pasojnë edhe dy partitë tjera, Partia Demokratike Popullore (PDP) me kryetar Iljaz Halimi dhe më pas Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve (PPDSH) me kryetar Arbër Xhaferi, e cila më vonë do të shëndrrojë emrin në PDSH-Partia Demokratike Shqiptare. Në këtë garë politike gjatë periudhës së viteve 94-98 kanë funksionuar edhe dy parti tjera shqiptare, të cilat janë më pak të njohura për elektoratin shqiptar, Partia Liberal-Demokrate Shqiptare e udhëhequr nga Hisen Ramadani, Partia Republikane e Unitetit Popullor me në krye Nevaz Halilin dhe Partia e Aksionit Demokratik- Rruga Islame, në të cilën ishin tubuar kryesisht personalitetet të sferës fetare. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 1998 skenës politike iu bashkangjitën edhe parti të tjera politike: Alternativa Demokratike me udhëheqës Asllan Selmani, Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptare me kryetar Besnik Telai dhe Partia Demokratike Kombëtare(PDK) me kryetar Kastriot Haxhirexha, e cila promovoi programin e saj politik për federalizmin e Maqedonisë.

Përveç këtyre subjekteve politike, në skenën politike në mënyrë ilegale kanë funksionuar me rrjetet e tyre edhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Partia e Ballit Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit. Më pas edhe Alternativa Kombëtare (AK), e Harun Aliut. Një pjesë e këtyre aktivistëve të partive politike kanë zhvilluar politikën e tyre në legalitet dhe ilegalitet dhe se janë ndjekur nga ana e strukturave shtetërore.

Skena aktuale dhe përçarjet

Aktualisht skena politike po dominohet nga partitë parlamentare BDI, ASH, Lëvizja BESA e ndarë në dy fraksione, PDSH, RDK, Uniteti, etj. Në sipërfaqe pritet të dal edhe një parti e re që ka zyrtarizuar emrin si Partia Populli PP e udhëhequr nga Xhelil Bajrami, informon INA. Përveç kësaj vjen në shprehje edhe një parti tjetër e paralajmëruar me pompozitet Partia për Iliridën, por që nga disa qarqe është mohuar. Zëra të tjerë kishte se do të dal në skenë edhe partia Federaliste, por deri tani nuk ka ndonjë nismë konkrete. (INA)

 

Baby Boo