Ish zyrtari i UDB-së Mehmet Loci, në listën e veteranëve të UÇK’së si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes në Ekzil


Ish-punëtori i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë (i njohur si UDB’a famëkeqe), Mehmet Loci është përfshirë në listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e ka fituar statusin e pjesëtarit në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Ekzil.
Ai është renditur i 279’ti në listën prej 481 personave.

Express ka kontaktuar me Mehmet Locin, i cili e ka konfirmuar se është e vërtetë se emri i tij figuron në këtë listë.

“Lista është e vërtetë”, ka thënë Mehmet Loci për Gazetën Express.

“Unë jam në Ministrinë e parë të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Mehmet Loci, para disa kohësh kishte folur publikisht për punën e tij, dhe të Shërbimit Sekret të Jugosllavisë, ku pati shërbyer si punëtor operativ.

Edhe në atë intervistë pati deklaruar se u ka ndihmuar institucioneve të Kosovës për të përgatitur luftën kundër Serbisë.

“Nuk ka intervistë. Këtu është ekipa gjatë kohës së përgatitjes për luftë e Ministrisë së Brendshme së Republikës së Kosovës kalon në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Janë periudha e para luftës. Prandaj, s’është kurgjo e dyshimtë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Locit nuk i ka pëlqyer pse Gazeta Express po shkruan për këtë temë. Madje, ka kërcënuar se nëse përmendet emri i tij në gazetë do të ketë punë ai pastaj me redaksinë.

“Ju të Express’it ju kam thënë njëherë e përgjithmonë se emrin tim s’guxoni me ma përmend. Nuk jeni ju ata që vendosni. Çfarë juve po ju pengon. Ju nuk jeni institucion shtetëror. E keni bërë vetën shumë të fuqishëm. Lidhur me emrin tim çka keni me mua duhet të paguani minutën se është shumë shtrenjtë. Me ba me dal rastësisht një fjali prej juve, dijeni se mbajeni fort e keq”, ka thënë

“Ju e dini se unë ju njoh juve”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Mehmet Loci, duhet ta kuptojë se s’është më koha e artë e tij, kur ai ka dhënë urdhra dhe të tjerët i kanë respektuar. Ose kur nuk i kanë respektuar urdhrat e tij dikush është dashur seriozisht të mbahet fortë.

Baby Boo