300 euro një temë diplome, ja studentët ku i blejnë!


Shumë studentë ankohen për mungesë luksi dhe jetë të vështirë studimore, por ka edhe shumë prej tyre që paguajnë 300-400 euro për një temë diplome. E pra, kjo është një dëshmi se shpeshherë vërtet “gjithçka blihet me para”

Studentët që kanë përfunduar të gjitha provimet, po megjithatë nuk kanë arritur të aftësohen për të punuar temën e diplomës, e cila do t’ua jepte titullin Bachelor apo Master i drejtimit të caktuar, po gjejnë zgjidhje te personat që ofrojnë shërbimin e punimit të diplomës. Punimi dhe shitja e temave të diplomës tashmë është shndërruar në biznes. Mjafton të bëni kërkimin më të thjeshtë në internet dhe do të gjeni kontaktet e këtyre personave. Ata e sigurojnë studentin se asnjëherë nuk u ka dështuar ndonjë punim i temës. Për këtë, duhet të paguani një çmim që shkon prej 300 deri në 400 euro.

Kjo dukuri e pranishme në vendin tonë më shumë vërehet gjatë përfundimit të afateve të provimeve: në janar, qershor dhe shtator.

Vetëm gjatë muajit qershor kanë qenë disa studentë anonim që kanë kërkuar publikisht ndonjë person që punon me pagesë temën e diplomës.

Eksperti i fushës se arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se punimi i temës së diplomës është shndërruar në formalitet.

“Dikur, në shumicën e njësive akademike të UP-së punimi diplomës ka qenë rasti që studenti ta dëshmojë pjekurinë e vet akademike, duke e kurorëzuar periudhë e studimeve me një punim, sado-kudo, origjinal. Ka vite që kjo është shndërruar në formalitet, mbase për shkak të rritjes enorme të numrit të studentëve dhe degradimit të përgjithshëm të kritereve të vlerësimit”, thotë për Gazetën Express Pupovci.

Në një postim, përplot me gabime drejtshkrimore, një person anonim, ditë më parë, kërkonte dikë që t’ia punonte temën e diplomës, sigurisht me pagesë.

Gazeta Express ka kontaktuar personat që punojnë dhe shesin temën e diplomës te studentët e interesuar për një shërbim të tillë. Çmimi për temën e Bachelor-it kushton 300 euro, ndërsa për Master 400 euro.

“300 euro, shkon deri në 80 faqe. Mu asnjë temë nuk mu ka kthy deri tash”, thotë ai.

Kur u pyet në rast se ulet ky çmim, ai tha se mund ta punojë temën edhe për 250 euro, duke hequr 50 euro nga çmimi i parë.

“Vallahin nqet çmim unë shkoj, ti masi e paske përshpejt me kry unë duhet mi kry edhe temat tjera. Jom nxone tu i punu e më duhet me lan anash se ti e ki për së shpejti. Për 250 pra që 50 po t’i heki”, tha ai.

Gjatë bisedës ai tregoi se një temë e diplomës për Master kushton 400 euro.

Dikush tjetër tha se për çmim nuk negocion në telefon dhe se i duhet të konsultojë edhe gruan në rast se palët merren vesh për të punuar një temë të diplomës.

E pati edhe nga ata që kanë refuzuar të punojnë një temë të diplomës pikërisht për shkak të çmimit të ulët që ua ka ofruar studenti. Si 80 deri në 120 euro.

“ E kam mendu se nuk bohet një krim i tille për pak para”- shprehet personi që refuzoi 120 euro për të punuar një temë të diplomës.

Eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci konsideron se blerja e diplomës është akt joetik dhe i papranueshëm. Nga ato që i ka parë thotë se nuk ka vend për të qenë të kënaqur me cilësinë e temave të diplomës. Personat që merren me shitjen e diplomave i quan matrapaz.

“Blerja e diplomës është një akt thellësisht joetik dhe i papranueshëm në çdo shoqëri. Për fat të keq, kjo dukuri është e pranishme edhe tek ne. Në një sondazh të realizuar nga Instituti Edguard, në vitin 2017, me rreth 1,500 studentë të UP-se, vetëm 20% kanë mohuar se kanë njohuri për këtë dukuri, ndërsa të tjerët kanë mendime të ndryshme për përmasat e përhapjes së saj”, thotë Pupovci ndër të tjera për Gazetën Express.

I pyetur se cilat masa duhet të merren për parandalimin e kësaj dukurie, Pupovci thotë se duhet të vendoset një sistem i kontrollit të cilësisë brenda njësive akademike, duke kërkuar nga mësimdhënësit që ta mbikëqyrin  punë e studentëve që i marrin diplomat tek ata.

“Pastaj, mund të mendohet edhe për publikimin e temave të diplomës që të shihet nëse ka plagjiatura ose “replikim” të diplomave nga gjenerata të kaluara që nuk është rast i rrallë. Ndonjë softuer anti-plagjiat do të mund  të ndihmonte shumë në këtë drejtim. Ndaj studentëve që, përkundër këtyre masave blejnë diploma ose i kopjojnë ato, duhet të merren masa disiplinore,. Pastaj, duhet denoncuar publikisht dhe te organet e ndjekjes ofruesit e shërbimeve të shkrimit të diplomave, sepse ata janë bashkëpjesëmarrës në një vepër të keqe, që të mos e quaj krim”, shprehet Pupovci.

Më tej Pupovci thotë se nëse studentit nuk i lexohet punimi të paktën një herë nga mentori, nëse asnjë student nuk merr notë jokaluese në provimin e diplomës, atëherë është e kuptueshme se shumë studentë nuk e marrin me seriozitet dhe kërkojnë rrugë për ta kryer më lehtë punën.

“Kjo u jep hapësirë matrapazëve që merren me shitjen e punimeve të diplomës”, përfundon ai.

Më shumë se 5 mijë studentë diplomojnë vetëm brenda vitit në Universitetin e Prishtinës, mijëra të  tjerë diplomojnë edhe në Universitetet e tjera publike dhe kolegjet private në Kosovë. Statistikat tregojnë se në nivelin Bachelor në vitin 2015/2016, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë diplomuar 5091 studentë dhe 1142 studentë në nivelin Master.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/disa-studente-nuk-dine-te-shkruajne-teme-diplome-e-blejne-per-300-euro-555892/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Baby Boo