30 ditë paraburgim për ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina


Gjykata Penale e Shkupit ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditor.

Ky vendim i GJPSH-së vijon pasi Interpoli serb, ish-ushtarin e UÇK-së, Morinën e akuzon për krime lufte në luftën e vitit 1999 në Kosovë. Avokati i Morinës, Naser Raufi, për gazetën KOHA, thotë se këtë vendim të GJPSH-së do ta ankimojnë në afatin e paraparë ligjore prej 24 orësh. Nga ana tjetër, nga GJPSH për gazetën KOHA as nuk i kanë demantuar dhe as pohuar zërat për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj Morinës.
“Morina ka shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe britanike. Për këtë çështje janë njoftuar të dy ambasadat. Po ashtu, do të dorëzojmë ankesë edhe ndaj kërkesës për ekstradim”, tha avokati Raufi. Ndaj këtij arresti ka reaguar edhe shefi i diplomacisë kosovare, Bexhet Pacolli, i cili ka thënë se pret që së shpejti të lirohet dhe të kthehet në rrethinë familjar. “Besojmë se lirimi i tij do të ndodhë së shpejti. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte të afërta miqësore dhe këtë çështje do ta zgjedhim si miq”, ka thënë Pacolli. Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përgjatë 20 viteve të kaluar janë në shënjestër të vazhdueshme të Inteprolit serb. Një rasti i tillë në Maqedoninë e Veriut u regjistrua edhe në vitin 2016 kur u arrestuan Gafur Dugolli, shef i Protokollit të Forcës së atëhershme të Sigurisë së Kosovës.
Në mesin e shumë reagimeve për arrestimin e Morinës, është edhe ai i Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Dukagjini. “Ndalimi i luftëtarit të lirisë Tomor Morina nga organet e Maqedonisë Veriore, bazuar në urdhër-arrest të Serbisë është i papranueshëm. Ky precedan i krijuar edhe më herët në shtetet tjera, më së paku është dashur të ndodhë në një nga shtetet që aspiron drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në komunikatë. Ata shprehen të befasuar se si po respektohen urdhër-arrestet e një shteti i cili ka ushtruar gjenocid popullin tonë. OVL UÇK-Dukagjin, ka kërkuar menjëherë lirimin e bashkëluftëtarit tonë Tomorit, duke apeluar që të mos përsëriten më akte të tilla. “Ne i respektojmë institucionet e Maqedonisë Veriore dhe të arriturat e tyre në rrugën euroatlantike, si dhe bashkëpunimin e saj me Republikën e Kosovës, por vendimet e Millosheviqit nuk duhet te zbatohen nga një shtet i civilizuar”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë. Ndryshe, Tomor Morina është arrestuar pardje në kalimin kufitar të Bllacës. Nga MPB-ja konfirmuan se Morina është arrestuar me kërkesë nga Serbia, për shkak të dyshimit se ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. (koha.mk)

Baby Boo