“27 Prilli”, Çavkov kërkon t’i hiqet dënimi për kërcënim terrorist të rendit kushtetues


Ish zyrtarë të lartë të policisë edhe para Gjykatës së Apelit mohuan përgjegjësinë për ndërhyrjen e dhunshme në Parlament. Kjo u tha sot në seancën publike të Apelit nga avokatët e tyre. Sipas avokatëve, as Mitko Çavkov si drejtor i atëhershëm i Byrosë së Sigurisë Publike, e as Mitko Peshov si drejtues i njësive speciale të policisë, as Dushko Llazarov, i cili atë ditë në selinë operative ishte kujdestar, nuk kishin autorizimin për të vepruar.

Sipas avokatëve, kjo ishte kompetencë e SPB-Shkup. Avokati i Çavkovit tha që Çavkov në fakt duhej të ishte shpërblyer në vend që të dënohej me 18 vjet burg sepse kur kishte arritur në punë ai menjëherë kishte filluar të jepte urdhra për të shpëtuar të pranishmit në Parlament. Dukoski kërkoi shfuqizimin e aktgjykimit kundër Çavkovit.

Ky aktgjykim është aktgjykim i kurdisur dhe nuk ka kurrfarë prova. Prandaj mendoj se nuk mund të qëndrojë – tha Sashko Dukoski, avokat.

Mbrojtja e ish-shefit të forcave speciale, Mitko Peshov, pretendon se vetë SPB- Shkup nga ai kishte kërkuar të dërgonte numër më të vogël të pjesëtarëve të njësisë së tij. Avokatët e oficerit kujdestar në Ministrinë e Brendshme, Llazarov, nga ana tjetër, thanë se në aktgjykim nuk përcaktohej kush duhej t’i kishte dhënë urdhër policisë për ta shpërndarë turmën.

Ju analizoni udhëzimet, por nuk dini as t’i analizoni ato, aty thuhet se SPB- Shkup është bartësi i komandës për territorin e qytetit të Shkupit -u shpreh Zvonko Davidoviq, avokat.

Sot, Aleksandar Vasilevski-Ninxha, i cili gjithashtu u dënua me burg për kërcënim terrorist të rendit kushtetues, përsëri u ankua se ka qenë i kërcënuar me vdekje nga njerëz të afërt të vajzës së Çavkovit. Mbrojtja e Çavkovit e mohoi këtë. Procedura e shqyrtimit të ankesave në gjykatën e Apelit vazhdon edhe nesër./Alsat

Baby Boo