26 masa për zbutjen e krizës së çmimeve, ja cilat janë


Për të zbutur goditjen nga çmimet e larta të derivateve të naftës, qeveria propozon uljen e akcizës për karburantet dhe TVSH-në nga 18 në pesë për qind. Kjo masë ulë pjesën që qytetarët e paguajnë për çdo litër benzinë që shkonte në buxhet, shkruan Alsat.

“Nafta në vend të 85,5 denarë do të zvogëlohet për 10,5 denarë dhe do të jetë 75 denarë, benzina në vend të 91,5 denarë do të zvogëlohet për 11,5 denarë dhe do të jetë 80 denarë. Po ulim normën e TVSH-së nga 18 në 10 për qind për naftën, benzinën pa plumb, gazin, gazin e lëngshëm dhe metanin”, deklaroi Dimitar Kovaçevski- Kryeministër i RMV-së.

Masat propozohen pas rritjes rekord të çmimeve të derivateve të naftës për gati 10.2 për qind. Por që këto ndryshime të hyjnë në fuqi, duhet të marrin dritën jeshile nga deputetët në Kuvend. Shteti do ta prolongojë edhe aplikimin e taksës mjedisore e cila parashihte që çdo litër karburant të paguhet 3,5 denarë shtesë për mjedisin. Kovaçevski u bëri thirrje deputetëve që të votojnë ndryshimet e propozuara sa më shpejt të jetë e mundur.

Pavarësisht ndërhyrjes në karburante, Qeveria nuk do të rrisë TVSH-në për energjinë elektrike dhe do të mbetet 5 për qind deri në fund të vitit, në vend që të rritet në 10 për qind në qershor siç ishte planifikuar fillimisht. Hiqet TVSH-ja edhe për produktet bazë ushqimore, ndërsa rreth 35 mijë qytetarë nga kategoritë më të rrezikuara do të marrin kupon prej 1000 denarë në tre muajt e ardhshëm për të blerë produkte.
E gjithë pakoja e masave do të peshojë 400 milionë euro.

“Sa i përket eurobondit, tashmë janë duke u bërë të gjitha përgatitjet, sikurse vitin e kaluar të shihet periudha më e favorshme që eventualisht të mund të marrim hua”, tha Fatmir Besimi – Ministër i Financave.

Ministri i Financave thotë se buxheti është likuid, paratë për disa nga masat tashmë janë siguruar nga buxheti i shtetit dhe se presin që masat në fund të sjellin përfitim ekonomik për shtetin. /Alsat.mk

Baby Boo