2 vjet nga rasti i parë Kovid në RMV


Dy vjet prejse në vend u regjistrua rasti i parë me Kovid-19. Sot, numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me Kovid-19 në vend është 296.229 persona. Betejën me virusin e humbën 8.981, ndërsa numri i rasteve aktive arrin 4.644.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, në 24 orët e fundit janë regjistruar 517 raste të reja nga 2.669 testet e bëra. Vdiqën 9 persona, ndërsa janë shëruar 1,022 pacientë.
Nga të sapoinfektuarit, nga Shkupi janë 261, Manastiri 31, Kavadari 24, Prilepi dhe Velesi 22, Kumanova 18, Tetova 16, Kërçova 14, Gostivari dhe Shtipi 13, Ohri 12, Kriva Pallanka – 11, Strumicë – 10, Strugë dhe Negotinë – nga 8, Koçani, Gjevgjeli, Sveti Nikollë dhe Resnjë- 5, Dibër dhe Demir Hisar – 4, Radovish, Dellçevë, Vallandovë, Bogdanci, Kratovë dhe Demir Kapi – 1.
Vazhdon trendi i më shumë të shëruarve se sa të infektuarve nga Kovid-19, ndërsa me këtë bie edhe numri i rasteve aktive. Kompetentët presin në periudhën në vijim të stabilizohet gjendja epidemiologjike në vend.
Në ndërkohë në vijim është skriningu për imunitetin e qytetarëve në Shkup dhe në qytetet tjera, ndërsa vazhdon edhe skriningu në shkolla.
Sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë deri në fund të javës priten të dhënat e para për seroprevalencën në Shkup, ndërsa nga java tjetër edhe për qytetet tjera në vend.
Këto ditë, gjithashtu pritet Shtabi i përgjithshëm koordinativ i krizave dhe Qeveria të dalin për dy masat e propozuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
Masat janë në lidhje me heqjen e PCR testeve, vërtetim për sëmundjen e kaluar ose vërtetim për vaksinim gjatë daljes nga vendi dhe heqje e pushimit nga puna për gratë shtatzëna.
Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali paralajmëron se nga java e ardhshme përmes mjekëve amë do të dërgohen ftesa për vaksinim te grupet e rrezikuara të qytetarëve.
“Për momentin si grup më i rrezikuar i shohim qytetarët mbi 70 vjeç, si dhe ato nën 70 vjeç me kormobiditete. Prandaj nga java e ardhshme përmes mjekëve amë do të dërgojmë ftesa për vaksinim të atyre qytetarëve të cilët janë në rrezik potencial”, deklaroi sonte Sali për ditarin qendror në televizionin “Sitel”.
Shpreson se këto ftesa do të rezultojnë me fluks të madh për vaksinim kundër Kovid-19.
“Si Ministri nga vetë fillimi udhëheqim formë më liberale të politikës kundër krizës Kovid-19, sepse besojmë se çdo individ ka të drejtë të vendosë nëse do të vaksinohet apo jo, Edhe pse besojmë që në disa rrethana duhet të insistojmë për vaksinim. Nuk them që të jetë restriktive, e obligueshme, megjithatë duhet të insistojmë”, tha Sali, duke shtuar se për momentin vaksinimi është mënyra e vetme e mbrojtjes dhe se mbron nga forma më e rëndë e sëmundjes.
Në lidhje me masat restriktive, tha se për momentin mbesin certifikatat si obligim i detyrueshëm në qendra tregtare dhe objekte hotelierike sepse përqindja e imunizimit në vend ende është e ulët që të mund të mendohet për lehtësime të tilla.

Baby Boo