176 mijë vaksina “Pfizer” përfundojnë në deponi! Ulet interesimi për vaksinim, Sali vazhdon me apele


176.670 vaksina anti-covid nga prodhuesi Pfizer do të përfundojnë në deponi. Afati u skadon në fund të muajit shkurt, e me që kanë ngelur të papërdorura do të shkatërrohen në Drislla. Mediat kërkuan përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me atë se me sa vaksina disponon vendi dhe se deri kur kanë afat përdorimi. Prej atje na dërguan këto të dhëna:

Ministria e Shëndetësisë:
176,670 doza, me afat deri në fund të shkurtit, 2022
95,940 doza, me afat deri në fund të majit, 2022
107 640 doza, me afat deri në fund të qershorit, 2022
66,820 doza, me afat kohor deri në korrik, 2022

I pyetur në lidhje me shkatërrimin e vaksinave pa afat, Ministri Bekim Sali thotë se nuk kanë kushtuar shumë, marrë parasysh se një flakon me 6 doza kushton 0.29 denarë.

“Një flakon që përmban 6 doza të vaksinave kushton 0.29 denarë, kështu që mendoj se nuk duhet të bëhet ndonjë politikë e caktuar për shkatërrimin, po sa është i rëndësishëm vaksinimi i drejtë dhe në kohë i qytetarëve tanë“, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Pasditen e djeshme, Ministria e Shëndetësisë mori donacion 250 mijë doza vaksinash “Pfizer” nga qeveria italiane, përmes mekanizmit Kovacs dhe UNICEF. Ngarkesa e dytë pritet të mbërrijë sot. Ndërkaq Sali apeloi te qytetarët për imunizim.

“Ne nuk e shohim këtë në aspekt, të bëjmë fushatë që t’i harxhojmë vaksinat, e mos t’i shkatërrojmë. Fushata jonë është me qëllim të mbrojtjes së popullatës”, theksoi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Interesimi i vaksinimit ka rënë dukshëm, këtë e tregojnë edhe të dhënat që dalin nga Institutit i Shëndetit Publik, ku thuhet se për një javë për herë të parë, apo me dozë të parë janë vaksinuar vetëm 1302 qytetarë.

Përndryshe mediat pyetën në Agjencinë e ilaçeve Malmed si dhe në deponinë Drislla, se a ka arritur tek ata kërkesë për shkatërrimin e mbi 100 mijë vaksinave, mirëpo drejtori i Agjencise dhe deponisë na thanë se ende nuk kanë informacione rreth vaksinave pa afat.

Baby Boo