17 doktor shkence dhe 622 magjistra ku plot 8.000 persona presin punësim në Maqedoni!


Më shumë se 8.000 persona me arsim të lartë janë duke pritur për punë në Maqedoninë e Veriut, prej tyre 7370 janë me diplomë universitare, 622 magjistra, dhe 17 doktorë shkencash. Edhe pse nga Agjencia për punësim janë hapur shpallje për 7061 vende pune, është vështir që dikush të kërkojë këtë lloj të stafit pasi më së shumti punëtor nevojiten në industrinë përpunuese, tregtinë me shumicë dhe pakicë, në objekte akomodimi dhe shërbime ushqimore.

Ajo që parashikoi se numri më i madh i punësimeve pritet të bëhet në industrinë përpunuese ishte anketa për nevojën për aftësi në tregun e punës në Maqedoni, ku sipas të cilës 39.5% nga gjithsej punësimet e planifikuara kërkojnë personel me arsim fillor ose të mesëm.

Pikërisht mungesa e interesimit për të punësuar kuadro me arsim të lartë ka rezultuar me ulje të interesit të qytetarëve për të përmirësuar aftësitë e tyre pas përfundimit të universitetit. Nevojë më të madhe për të punësuar kuadro me arsim të lartë universitar dhe pas-universitar pritet të kenë punëdhënësit në fushën e informacionit dhe komunikimit, në arsim, veprimtari financiare dhe sigurime, si dhe në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Kështu, 12.3% e punësimit pritet të jetë një mundësi për studentët e diplomuar.

Perspektiva më të mëdha për tu punësuar kanë ekspertët të IT, programuesit, inxhinierët mekanikë dhe të ndërtimit, ekonomistët, farmacistët, doktorët e mjekësisë dhe arkitektët. Punëdhënësit janë në kërkim të kuadrove që kanë njohuri dhe certifikata për aftësi të avancuara të IT-s dhe njohuri të gjuhëve programuese, por edhe aftësi shitje, marketing dhe menaxhim. Këtë e tregojnë analizat e Agjencisë për Punësim, me qëllim që të bëhen plane afatshkurtra dhe afatgjata për tregun e punës në vend.

Kurse, përderisa nga njëra anë janë kompanitë që ankohen për mungesën e fuqisë punëtore, nga ana tjetër janë të rinjtë që ankohen se nuk ju jepet mundësia e drejtë për të provuar veten dhe për të gjetur një arsye që të qëndrojnë në vend, që sipas autoriteteve ky është një tregues i qartë se diçka duhet ndryshuar urgjent me rikualifikimin, përmirësimin dhe drejtimin e stafit të ri drejt profesioneve të së ardhmes.

Gjendja me tregun e punës në Maqedoninë e Veriut është alarmante pasi disa të rinj shkojnë jashtë vendit për të kërkuar një jetë më të mirë, ndërsa ata që qëndrojnë në vend kërkojnë një mundësi për punësim të drejtë, pa librezë partiake. Këto lloj qëndrimesh së fundmi ata ia kanë paraqitur edhe zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, gjatë një forumi ku u diskutua për profesionet e së ardhmes.

Doktori më i ri i shkencave u ankua se nuk mund të gjente punë sepse, në konkurset në të cilat aplikonte ose i përgjigjeshin me “je i mbi-kualifikuar” ose dikush tjetër me “librezën e partisë” tashmë e kishte zënë vendin, dhe për këtë arsye u detyrua të kërkojë punë në një sektor tjetër. E ardhmja e të rinjve sipas autoriteteve, është në industrializimin e katërt që ofron punë cilësore, përkatësisht inteligjencën artificiale përmes mësimit të robotikës, marketingut digjital, sigurisë kibernetike, etj. /koha/

Baby Boo