“11 SHTATORI”, PAMJET E PAPUBLIKUARA MË PARË TË SULMIT TERRORIST


Një shpërthim i fuqishëm, një re e dendur tymi, njerëz që ulërisnin, kërkonin të arratiseshin e ndërkohë kolliteshin!

Kjo është panorama – deri më sot e papublikuar, – e momenteve të para pas katastrofës që përfshiu “Kullat binjake” të Qendrës Botërore të Tregtisë, më 11 shtator të vitit 2001, të xhiruara nga një operator i “CBS News”, Mark LaGanga.

Ndërkohë që i afrohemi 17-vjetorit të atentateve terroriste të “Al Kaedës” në Nju Jork e Uashington, LaGanga rikthen në vëmendje videon e tij duke e publikuar në Youtube, aty ku brenda një kohe tejet të shkurtër u pa nga mbi dy milionë persona.

Një filmim i bazuar mbi foto që duken të njohura për ne, por që në pjesën më të madhe janë të papublikuara më parë. Në pothuajse 30 minuta realiteti të paprekur, të pamodifikuar, LaGanga tregon qartësisht heroizmin e zjarrfikësve dhe punonjësve të tjerë të shpëtimit.

“U shemb gjithçka poshtë, një ferr”, tregojnë personat e parë që mundi të takonte operatori në momentet e para pas shembjes së kullës së parë.

Aty shfaqen policë, zjarrfikës, njerëz të mbrojtjes civile të mbuluar nga hiri që i bën të marrin frymë me vështirësi, e jo më të flasin.

“Pritet të shembet e gjitha edhe këtu”, dëgjohet dikush në një moment të dytë. LaGanga shtyhet nga kureshtja dhe i afrohet edhe më shumë kullës veriore, e cila ishte asokohe ende në këmbë, për të sjellë gjithçka nga ajo që do të bëhej më vonë “Ground Zero”.

Më pas vjen shembja e kullës së dytë, njerëz që i largohen operatorit, i cili qëndroi i palëvizur deri në momentin kur u mbulua nga reja e dendur e pluhurit që “pushtonte” gjithçka me një shpejtësi të çmendur.

Gjithçka dukej e zezë më pas, operatori shfaqet mes kollitjeve e dukej sikur për pak do të asfiksohej. Me t’u pastruar “perdja e zezë”, shihen sërish njerëz që ia mbathin ende të mbuluar tërësisht nga hiri i bardhë. Duken si të ishin fantazma, në një arrati pa një drejtim të caktuar.