​“Harrohet” lënda për sulmin me granatë në Kuvendin e Kosovës


Janë bërë tetë muaj që kur Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e katër të akuzuarve për sulmin në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Themelore e Prishtinës si duket e ka “harruar” këtë lëndë.

Katër të akuzuarit gjatë kohës kur janë arrestuar dhe ndaj tyre është zhvilluar një proces gjyqësor kanë qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dy prej tyre, deputeti  Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate, ndërsa Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti vazhdojnë të jenë pjesë e Vetëvendosjes.

Përveç zvarritjes së këtij rasti nga shkalla e parë, Prokuroria Speciale ende nuk e ka emëruar prokurorin e kësaj lënde, pasi  prokurori që në atë kohë është marr me këtë lëndë Abdurrahim Islami ka dal në pension.

E kjo neglizhencë, po shihet si dështim i gjyqësorit për të trajtuar lëndën me prioritet, ndërsa pala e akuzuar  po e konsideron si një lëndë e cila nuk po ngjall më interes për dikë.

Lënien pezull të rastit, i akuzuarit i cili njëherësh është edhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi e sheh si shenjë të qartë se kjo lëndë gjyqësore ka qenë politike.

Sipas tij edhe vendimi ka qenë politik, prandaj edhe gjykatësit po hezitojnë ta rigjykojnë lëndën e tyre, sepse verdikti final do jetë  pafajësia e tyre.

Avokati i  deputetit Krasniqi, Tomë Gashi u shpreh se lënda e aktivistëve  më nuk është prioritet i dikujt, pasi siç thotë ai përmes këtij gjykimi ka pasur tendenca të njollosjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka dhënë prioritet lëndëve të tjera. Ai shton se nuk kanë asnjë informacion se nëse ky organ  ka kërkuar nga Prokuroria Speciale për plotësim të aktakuzës apo jo.

Nga Gjykata Themelore e Prishtinës  në një përgjigje për KosovaPress kanë thënë se së  shpejti do të caktohet seanca gjyqësore për rastin e aktivistëve për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Moscaktimin e seancës  për aktivistët që akuzohen se kanë kryer sulm terrorist  nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shihet si dështim i gjyqësorit.

Betim Musliu nga ky Institut u  shpreh se kjo lëndë duhet të trajtohet me prioritet, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë edhe shkelje të afateve ligjore.

Sipas Musliut shkuarja e prokurorit të rastit në pension nuk paraqet problem për lëndën, pasi të njëjtën lëndë  mund ta trashëgojë  një prokuror tjetër pa asnjë problem.

Se lënda e aktivistëve të Vetëvendosjes duhet të trajtohet me prioritet e thotë edhe  kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala .

Ai dyshon se  Gjykata Themelore e Prishtinës  qëllimisht po e zvarrit procesin hetimor.

KosovaPress për disa javë ka pritur përgjigje nga Prokuroria Speciale, se a është caktuar prokurorit i rastit për sulmin në Kuvend, lëndë kjo që është kthyer në rigjykim por as pas disa javësh nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, më 26 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin ndaj 4 aktivistëve të akuzuar për sulmin me granatë në  gushtit të vitit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Për këtë sulm i akuzuar ishte edhe Astrit Dehari i cili më 5 nëntor të vitit 2016 ka vdekur në rrethana të dyshimta në burgun e  Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prishtinës nëntorin e kaluar kishte dënuar Atdhe Arifin me 6 vjet burg, deputetin Frashër Krasniqi me 8 vjet burg, Egzon Halitin me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batushën me 2 vjet burg.

Baby Boo