​Haradinaj: Besoj se si president mund t’i bëj punët në interes të vendit


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka treguar arsyet e kandidaturës së tij për postin e të parit të shtetit, në kohën kur Kosova ka presidentin e saj.

Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka thënë se nëse Kosova preket nga Gjykata Speciale, atëherë sipas tij, do të krijohet një brishtësi institucionale, andaj ai si president mund të jetë një faktor i qëndrueshmërisë sa i përket interesave nacionale dhe unitetit të popullit.

“Unë besoj se mund t’i bëj punët në interes të vendit dhe t’i dal zot temave të mëtejme. Unë e di që kemi president. Shpresoj se nuk ndodh konfirmimi i aktakuzës, por nëse ndodh, ne nuk kemi pse të fshihemi”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se nuk ka pasur diskutime me Thaçin dhe PDK-në rreth kandidaturës për të parin e vendit.

“Ata që i ikin realitetit janë të pamoralshëm dhe jo të shitet moral në studio. Unë rri rregullisht dhe pi kafe me Thaçin, rri edhe me Veselin, dhe është moral t’i dilet përballë temave të mëdha”, ka theksuar ai.

Ndryshe, sot kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka shprehur qëndrimin e partisë së tij, se nuk mund të diskutohet për çështjen e postit të presidentit dhe se diskutimi i gjithë kësaj çështjeje për momentin duhet të jetë i turpshëm.

Baby Boo