​Dokumenti që dëshmon se njëri prej gjashtë turqve u dëbua gabimisht nga Kosova


Njëri nga gjashtë turqit e kidnapuar nga Policia e Kosovës, AKI’ja dhe shërbimi inteligjent turk, është dëbuar gabimisht nga Kosova. Autoritetet kosovare dhe ato turke ishin në ndjekje të Hasan Husein Demir, ndërsa Erdoganit ia dorëzuan Hasan Hüseyin Günakanin.

Skandali nuk përfundon këtu. Demir edhe pse vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në dokumentin për urdhër-dëbimin e tij ndodhet vula që thotë se ai më 29 mars 2018 është larguar nga Kosova

Policia e Kosovës nuk ia qëlloi se kush është Hasan Demir, një nga gjashtë shtetasit turq, banorë të Kosovës, që AKI’ja i vlerësoi si kërcënim për sigurinë kombëtare pas vite të tëra qëndrimi të tyre në Kosovë.

Më 29 mars 2018, kur Policia e Kosovës, bashkë me AKI’në u vunë në ndjekje të një grupi shtetas turq të identifikuar si gulenista, po kërkohej edhe Hasan Huseyn Demir. Atij, sikurse pesë bashkëvendësve të tij nga Turqia, Ministria e Punëve të Brendshme ua kishte revokuar lejeqendrimin në Kosovë dhe kishte urdhëruar largimin e tij nga Kosova.

Por, Demir, që edhe sot vazhdon të qëndrojë në Kosovë, nuk ra në duart e autoriteteve të Erdoganit, shkruan Gazeta Express. Kjo pasi, Policia e Kosovës e arrestoi gabimisht Hasan Huseyn Gunakan. Ky i fundit, bashkë me katër kolegë të tij nga kolegji “Mehmet Akif” dhe një mjek tjetër turk, iu dorëzuan Shërbimit Inteligjent Turk, që përmes Aeroportit të Prishtinës u deportuan për në Turqi, për t’u përballur me një gjyq që konsiderohet politik.

Por, skandali me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk përfundon as tek kjo ngatërresë e autoriteteve kosovare.

Në bazë të dokumentit për urdhër-largimin me forcë të Hasan Demir, të siguruar nga Gazeta Express, ky shtetas turk veçse është i larguar nga Kosova më 29 mars të këtij viti. Këtë e vërteton vula e Aeroportit të Prishtinës e cila është e vendosur poshtë nënshkrimit të Drejtorit të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj.

Ndërkohë që i njëjti vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në qendrën e azilantëve në Magure të Lipjanit.

Dokumenti thotë se turku, që fizikisht ndodhet në Kosovë, por me letra është deportuar, gjatë 5 viteve të ardhshme nuk i lejohet të hyjë në territorin e Kosovës.

“Në mbështetje të nenit 6 dhe nenit 99 pika 2 të ligjit për të Huajt, nr. 04/L-219m, bazuar në dëshmitë e bazuara nga institucionet kompetente të siguresë, konsiderojmë se janë përmbushur kushtet ligjore për largimin me forcë nga territori i Republikës së Kosovës më datën 29.02.2018 për shtetësinë huaj Hasan Huseyn Demir, shtetas nga Republika e Turqisë për shkak se qëndrimi i tij i mëtutjemë në Republikën e Kosovës mund të paraqet kërcënim që lidhet me sigurinë shtetërore dhe rendin publik”, thuhet në arsyetimin e MPB’së për vendimin për urdhër largimin më forcë nga Kosova të Hasan Demir.

Baby Boo