fbpx

Vazhdojnë protestat e banorëve të Konjares. Pronari i firmës: Kemi leje për punë, nuk po i dëmtojmë banoret

Dita e dytë e protestve në Konjare. Banorët tashmë e kanë bllokuar gjithë hyrjën dhe daljen e fshatit…. duke kundërshtuar gërmimet në lumin Pçinja.

Është bllokuar i tërë komunikacioni. Do lejohen vetëm makinat që kanë raste urgjente shëndetësore.

Banorët e Konjares nuk do të heqin dorë nga bllokimi derisa firma “Progres” të ndalojë punimet në fshat, dhe të tërheq makineritë, pasi besojnë se ata vetëm po e dëmtojnë fshatin…

Banor

“Do vazhdojmë me protestat derisa të vijnë organet kompetente, personalisht që të na informojnë neve, ne nuk besojmë në asnjë individ që na jep fjalë ose dëshiron të bëjë marrëveshje. Ne jemi të vendosur që ky koncension të ndërpritet. Kush e ka dhënë dhe përse nuk është puna jonë sepse ne nuk kemi aty ingerenca, por kemi ingerenca në mbrojtjen e fshatit tonë. Kjo nuk është iniciativë e disa individëve, por e gjithë qytetarëve, fshatarëve. Do të shkojmë deri në fund”

Banor

“Kërkojmë nga institucionet që tia marrin koncensionin pasi ne në shekullin 21 nuk kemi ujë për pije. Ne këtu nuk kemi ardhmëri, ekzistencë pasi shkatërruan gjithçka. Për katër vite mbi 200 të rinjë u larguan nga fshati. Ata aty ku gërmojnë tashmë e kanë privatizuar, aty nuk mund as të kalosh, e lëre më të prodhosh diçka. Le të na largojnë të gjithë neve prej këtu, dhe tua lënë atyre vendin le ta gërmojnë, se deri këtu ka ardhur puna. Tashmë na e kanë vendosur thikën në fyt”

Banor

“Kërkojmë që të vijë kryeministri i cili dy vite më parë na premtoi që ky problem do të zgjidhet pasi ky problem nuk do të ndalojë këtu. Do ta bllokojmë edhe shkollën, edhe popullin, do të lejojmë kalimin vetëm të rasteve urgjente. Kryeministri të vijë personalisht dhe të bisedojë me neve, së bashku me ministrin Lubço Nikollovski, pasi populli më nuk ka durim”

Dikurë ky vend që po shihni, ka qenë një vend për pikniqe dhe rekreacion, për shkak të lumit dhe ajrit të pastër nga një mori pemësh, ndërsa tani, duket vetëm pluhuri dhe balta dhe makineritë që gërmojnë…

“Këtu është pika kryesore ku për momentin firma “Progres” po bën gërmimin e rërës nga fshati Konjare. Siç thonë banorët, përveç dëmtimit të lumit, ata ankohen se janë dëmtuar dhe prerë një mori pemësh që dikurë kanë ekzistuar këtu. Tani edhe atë pak ajër të pastër që e kanë gëzuar, më nuk e kanë. Banorët akuzojnë se firma i ka prerë të gjithë pemët, dhe tani gjithë këtë pjesë që dikurë ka qenë një pasuri natyrore, e kanë shndërruar në një punishte”

Rëra që firma e ka gërmuar nga lumi Pçinja duket kështu… E tëra e grumbulluar në disa vende dhe në sasi tejet të madhe. Në momentin që filmonim, frynte erë e fortë, dhe gjithë pluhuri i rërës shpërndahej nëpër fshat, për çka edhe banorët ankoheshin.

Por pronari i firmës “Progres” mendon ndryshe nga banorët. Ai siguron se asnjë aktivitet i firmës së tij nuk ka për qëllim dëmtimin e banorëve të Konjares, por përmirësimin e shtratit të lumit që para disa vitesh, e kishte vërshuar një pjesë të madhe të Konjares. Qazim Osmanoviç na e tregoi edhe skicën e planit për ndërtimin e shtratit në mënyrë që të mos përsëritet fatkeqësia e të kaluarës, dhe lejen e marrë ligjërisht për të bërë gërmim të rërës.

Qazim Osmanoviç, pronar i firmës “Progres”

“Ne punojmë në bazë të projektit të përpiluar nga Ministria e Ekologjisë. E kemi fituar projektin në tender publik. Nëse kishte patur diçka që i dëmton ujërat, ministria nuk do të na lejonte të punojmë. Ne i kemi të gjithë lejet e duhura dhe ato do tua japim ti shihni. Ky lum ka dalë nga shtrati në të kaluarën dhe ka vërshuar disa toka private, prandaj edhe ne po rregullojmë shtratin e lumit që kjo situatë të mos përsëritet në të ardhmen…Ne jemi të regjistruar nga shteti pikërisht për këtë veprimtari, për gërmim të rërës dhe çakëllit”

Osmanoviç siguron se nuk kërcënohen as jetët e fëmijëve të banorëve të Konjares, dhe kujton se edhe fëmijët e tij shkojnë në të njëjtën shkollë.

Pronari i firmës “Progres” tha se është i gatshëm të ulet në tavolinë me banorët, për të diskutuar mbi paknaqësitë e tyre, por kujtoi se për çdo ditë të humbur pune në Konjare, ata humbin dhjetëra mijëra euro pa asnjë faj dhe për këtë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Osmanoviç paralajmëroi kallëzime penale kundër organizatorëve të protestës.

Banorët e Konjares, me të kuptuar mesazhin për kallëzim penal, thanë se ata janë të gatshëm për të gjitha pasojat nëse realizohet kërkesa e tyre pasi më nuk mund të durojnë që vendlindja e tyre të shndërrohet në një katastrofë ekologjike.

 

SHENJA/

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.