fbpx

Trump i kërkon kongresistes myslimane të japë dorëheqje

Presidenti Donald Trump tha të martën se ndjesa që kërkoi ligjvënësja e re Ilhan Omar për komentet e saj se anëtarët e Kongresit mbështesin Izraelin pasi paguhen për ta bërë këtë, është “e çalë” dhe se ajo duhet të japë dorëheqjen.

Në komentet e bëra në Twitter gjatë fundjavës, ligjvënësja demokrate e Minesotës, njëra nga dy gratë e para myslimane që zgjidhen në Dhomën e Përfaqësuesve, kritikoi Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC), duke thënë se “gjithçka lidhet me Benjaminin”, një aludim për kartmonedhën 100 dollarëshe që ka portretin e Benjamin Franklinit.

E pyetur në Twitter se kush mendonte se i paguante anëtarët e Kongresit për të mbështetur Izraelin, zonja Omar u përgjigj: “AIPAC!”

Në një takim të kabinetit të martën, Presidenti Trump u tha gazetarëve se “antisemitizmi nuk ka vend në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.”

Presidenti u shpreh se ajo që tha zonja Omar është “e tmerrshme”. “Unë mendoj se ajo duhet të japë dorëheqjen nga Kongresi ose nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo që tha zonja Omar është e ngulitur thellë në zemrën e saj.”

Presidenti tha se ndjesa që ajo kërkoi është “e çalë dhe ajo nuk e ka seriozisht asnjë fjalë në këtë ndjesë.”

Në ndjesën e saj, zonja Omar tha se nuk kishte ndërmend të fyente askënd, as amerikanët hebrenj, kur la të kuptohej se lobistët i paguajnë ligjvënësit për të mbështetur Izraelin. Ajo tha se kërkonte falje “pa asnjë mëdyshje.”

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.