fbpx

Nga muaji janar gjobat e policisë me postë

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, Sandër Lleshaj, gjatë një takimi me krerët e Policisë së Shtetit, bëri thirrje të për përdorimin e sa më shumë të teknologjisë me qëllim që të mënjanohen takimet apo “negociata” mes drejtuesve të automjeteve të kapur në shkelje dhe oficerit të Policisë.

“Ju keni marrë tashmë detyra dhe ka filluar zbatimi i një koncepti të ri për policimin në rrugët e vendit, i cili nënkupton jo prita e postblloqe në rrugët e tij, por vetëm patrullim të kujdesshëm dhe fokusim vetëm në problemet kryesore. Duhet të vijojë edhe në ditët në vazhdim e në vijueshmërinë e vitit 2019 përdorimi masiv i teknologjisë së monitorimit. Po ashtu duhet të fillojë menjëherë në vitin 2019 dërgimi i gjobave në rrugë postare për të eliminuar në maksimum çdo lloj “debati” apo negociatash midis punonjësve të Policisë Rrugore dhe qytetarëve që kapen në shkelje”, deklaroi ministri.

Ky fenomen, theksoi Lleshaj, duhet të marrë fund dhe të aplikohet ajo praktikë që aplikohet në të gjitha vendet normale ku gjobat dërgohen në rrugë postare dhe punonjësit e policisë nuk hyjnë në negociata, në debate me shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

Një çështje e rëndësishme me të cilën do të merremi që në muajin janar të vitit 2019, deklaroi ministri, është ajo që ka të bëjë me hapjen e Policisë së Shtetit për specialistë të rinj, kryesisht atyre që vijnë nga universitetet e vendit.

Ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit kanë hapur mundësi që Akademia e Sigurisë të fillojë menjëherë procesin e rekrutimit të të rinjve, që kanë mbaruar me rezultate të larta studimet universitare në degët Ekonomi, Financë, Informatikë, Elektronikë dhe Jurisprudencë.

Në muajin janar do të bëhet shpallja e thirrjes për aplikime për në Akademinë e Sigurisë për këtë kategori të diplomuarish dhe po në muajin janar do të zhvillohen konkurset përkatëse dhe menjëherë më pas fillon dhe kursi i Oficerit të Policisë Kriminale me këta të rinj, që kanë përfunduar universitetet e vendit në degët e sipërpërmendura.

“Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, jeni të thirrur që të kontribuoni në njoftimin, në identifikimin, në inkurajimin e personave të përshtatshëm dhe të interesuar për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Shtetit, të cilët siç thashë kanë përfunduar me rezultate të larta studimet në degët e përmendura më sipër. Është e rëndësishme që të kemi një shpërndarje sa më të mirë gjeografike. Prandaj kërkesa është drejtuar ndaj jush, që ju të inkurajoni studentë nga qarqet, nga rrethet, nga qytetet tuaja në mënyrë që të kemi një shpërndarje të mirë gjeografike të të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurs apo që fitojnë të drejtën për t’u arsimuar dhe për të filluar detyra të rëndësishme në fushën kryesisht të policisë kriminale, ku dhe mangësitë në specialitet e sipërpërmendura janë të konsiderueshme”, deklaroi ministri.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.