fbpx

Në objektin e Qeverisë sot do të ngritet flamuri i NATO-s

Sot prej orës 11 në oborrin e Qeverisë do të mbahet ceremoni solemne me rastin e ngritjes së flamurit të NATO-s përpara objektit të Qeverisë së Maqedonisë e cila së shpejti do ta bartë emrin “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njofton Portalb.mk.

Me rastin e ngjarjes, kryeministri Zoran Zaev, do të mbajë fjalim në oborrin e Qeverisë.

Ndryshe, mbishkrimi me shkronjat “Qeveria e Republikës së Maqedonisë” tanimë është mënjanuar nga objekti i qeverisë. Këto shkronja janë larguar me qëllim që të shtohet edhe “E Veriut”, në pajtueshmëri me emrin e ri kushtetues të shtetit.

Pas Qeverisë pritet që të ndërrohet edhe tabela e Kuvendit dhe ministrive, ndërkaq më pas duhet që të ndërrohen edhe nëpër objektet tjera shtetërore.

Greqia sot me notë verbale do ta njoftojë Republikën e Maqedonisë se janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien fund të kontestit disadekadësh për emrin, ndërkaq Maqedonia në Gazetën Zyrtare duhet që ta publikojë emrin e ri.

Emri i ri i shtetit do të harmonizohet edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve që do të thotë se tabelat do të shkruhen edhe në shqip pasi që, siç ka deklaruar para ca kohës zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski, shqiptarët janë 20% në nivel shtetëror.

Nota verbale dhe ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO erdhi pasi që më 6 shkurt të 2019-s, në Bruksel u nënshkrua Protokolli hyrës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nga ana e ambasadorëve të 29-të vendeve të Aleancës.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.