fbpx

Ndërron jetë akademiku Idriz Ajeti

Ka ndërruar jetë më 13 shkurt 2019 në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti. “Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re”, thuhet në njoftimin e Akademisë. Ai ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime. Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera. Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Anëtar i ASHAK u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999. Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë. Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm. Hollësitë rreth varrimit dhe komemoracionit do të njoftohen gjatë ditës.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.