Mbi 1 mijë kosovarë thuhet se mashtruan shtetin austriak për të përfituar ndihma sociale

Një abuzim masiv i përfitimeve sociale nga qytetarët kosovarë në Austri, është zbuluar nga shteti austriak.

Baby Shop Charli Baby Boo

Një kosovar themeloi një agjenci turistike dhe me dy autobus ka realizuar udhëtime të rregullta gjatë viteve 2014 dhe 2015 mes Austrisë dhe Kosovës, përkatësisht Prishtinë – Graz.

Së paku, 1 mijë persona që përfituan ndihma sociale në Austri, u transportuan nga këta autobusë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Austrisë thuhet se gjatë hulumtimeve nga agjencitë e sigurimeve sociale, është zbuluar se këta persona kishin adresa false në Austri dhe ishin regjistruar si të papunë për të marrë përfitime të ndryshme sociale, si: përfitime papunësie (Arbeitslosengeld), përfitime të sigurimit minimal (Mindestsicherung) apo shtesa familjare (Familienbeihile), transmeton Albinfo Austria.

Po ashtu, u qartësua mënyra se si janë marrë këto përfitime për një periudhë të gjatë pa u zbuluar nga autoritetet. Për këtë qëllim, disa persona regjistroheshin në një adresë të vetme rezidenciale dhe posa merreshin informatat se do të ketë kontrolle nga zyra e punësimit, ata që ishin jashtë vendit njoftoheshin dhe udhëtonin me autobus për në Austri. Veç kësaj, personat e regjistruar rrejshëm kishin edhe sigurim shëndetësor në Austri dhe mund të bënin termine mjekësore nëse kishin nevojë, dhe shpenzimet për trajtim paguheshin nga taksapaguesit austriakë.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se janë realizuar 1,737 udhëtimet me autobusë, ndërsa edhe vetë shoferët e autobusëve, që u kontrolluan më vonë, rezultuan si të papunë në Austri, rrjedhimisht duke marrë përfitime si të papunë, e njëkohësisht duke u paguar edhe si shoferë autobusësh.

Veç shoferëve të autobusëve, u hetuan edhe anëtarët e familjeve të tyre pasi që edhe ata keqpërdorën ndihmat sociale. Rasti u dërgua në Prokurorinë Publike të Steiermark.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, tha se ky hetim u desh të bëhej për të garantuar se sistemi social është i paprekur.

“Ia vlen të shikohet. Nëse duam që sistemi ynë social të jetë i paprekur në afat të gjatë, ai duhet të mbrohet më mirë kundër mashtrimit”, ka thënë ai me rastin e zbulimit të këtij mashtrimi nga qytetarët kosovarë.

“Kjo goditje, jo vetëm që ua ka kthyer paratë taksapaguesve, por ka parandaluar edhe pagesa tjera. I falënderoj të gjithë të përfshirët në hetimin e këtyre krimeve”, ka thënë Karl Nehammer.

Sipas gazetës heute.at, rastet e para të mashtrimit social u zbuluan në Murtal në Seiermark. Hetimet vazhduan të zgjerohen dhe tani supozohet se në rrjet janë të përfshirë të paktën 1.000 persona. Dëmi i shkaktuar konsiderohet të jetë në disa qindra mijëra euro.

Restorant Lumare