Makeup artistja Leunita Murtezi: Ju rrëfej rrugëtimin tim më të bukur të jetës


Tashmë, jemi mësuar me idenë se emrat e talenteve shqiptare shpalosen në vende të ndryshme, duke na bërë të ndihemi krenarë për ta. Jemi mësuar të dëgjojmë personazhe të fushës së artit, si në muzikë, aktrim apo pikturë, ashtu sikurse nuk kanë qenë të pakët figurat prezantuese në sporte (me medalje pafund e ҫmime të kësaj natyre). Këtë herë, ju prezantojmë me një makeup artiste shumë të talentuar.

Leunita Murtezi është një grimiere shumë e suksesshme tashmë, kjo falë punës e personazheve me të cilat punon. Trejsi Sejdini, Keisi Medini, Franceska Jace, Ziza Pajaziti, Arta Bajrami, Anisa Veseli, Kallashi, Arta Elezaj, Fifi, Aida Doci janë vetëm disa nga emrat në listën e gjatë të shumë personazheve të tjerë, të cilët janë grimuar nga duart e arta të Leunita Murtezit.

Ndërsa sot ajo vjen në Pa Censurë për të rrëfyer rrugëtimin e saj në fushën e Makeup-it, sfidat dhe sukseset që ka aritur si grimiere.

Si filloi rrugëtimi yt në fushën e Makeup-it, dhe çfarë të inspiroi?

Epo, rrugëtimin tim në fushën e MakeUp-it kam filluar që në moshën 13 vjeçare.
Talenti, besimi dhe pasioni për këtë profesion më nxiti që të mos ndalem së ndjekuri ëndërrën time të cilën sot e gëzoj e që është një qendër e bukurisë.
Nëse flasim për inspirimin normalisht si çdo vajzë e re me ambicie të mëdha për tu ngritur në karrierën mora guximin të shoh pak trendet botërore e të merrja si model grimerët e famshëm që sot kanë bërë namin e kanë shumë persona të dashur pranë.

Kur klientja nuk është e kënaqur me dukjen, si reagoni ju?

Për këto 10 vite sa kam karrierë për fat të mirë ende nuk më ka ndodhur një rast i tillë e mendoj se çelësi që klientet të ngelen të kënaqura nga puna jonë është se bashkë me stafin mundohemi që të bashkëpunojmë me personin që troket në derën tonë por fakti qëndron se shijet janë relative.
Pra, nuk mund të ju pëlqejmë të gjithëve, e madje shumë mirë që jemi ndryshe nga tjetri ngase ajo na dallon e na veçon të jemi unik në stilin tonë e të vlerësohemi pikërisht për këto tipare.

Çfarë, sipas mendimit tuaj, është cilësia më e rëndësishme për një makeup artist?

Nuk e di a më takon mua të flas për këtë çështje sepse ka grimerë tjerë më në moshë që kanë më shumë dekada që e krijojnë artin e tillë por po mundohem ta përkufizoj disi.
Për një MakeUp Artist së pari është besimi te vetja që hap dyert drejt suksesit, më pas vie profesionalizmi që ndërtohet ndërvite e për ta arritur duhet shumë mund e përkushtim.
Fjala e urtë popullore thotë: Klienti duhet të jetë mbreti e në rastin tonë: Mbretëresha apo princesha.

Si qëndroni në dijeni të tendencave të fundit të bukurisë?

Dija nuk ka kufi, këtë e dimë të gjithë por nuk është edhe e lehtë të përshtatesh me trendin kur jemi prezent në një botë virtuale të internetit që risia sa hap e mbyll sytë të ngërthen në vete.
Për tu kthyer në pyetje, kjo gjë varet dhe nga shija e klientes ose rasti për çka e ka grimin në fjale sepse një event kërkon dukje me glamoroze duke e krahasuar me përditshmërinë e cila e do të thjeshten (Natyralen).
Mua personalisht më pëlqen që është kthyer koha e kaluar kur bukuria natyrale vendosej në pah dhe jam pro natyralitet, pra vetëm theksimit të formave por nga ana tjetër është po ashtu një mix që varet nga personaliteti i asaj që kam para vetes, duhet pyetur pak dhe atë.

Përshkruani një rast kur ke gabuar gjatë karierës tënde si grimiere, dhe si e rregulluat më pas?

Po, edhe ne gabojmë, nuk është turp ta pranojmë, ka raste kur punojmë me orar të gjatë e klientet mund të propozojnë idetë e tyre që bien ndesh me shijet e qendres Leunita..(Leunita Murtezi “makeup artist”) por mundohemi ta gjejmë mesin e artë që ajo kur ta mbyll derën tonë të jetë e lumtur me pamjen e saj fizike që padyshim reflektohet dhe në mendje e shpirt.

Diçka që të bën të ndihesh më e veçantë se Makeup Artistët e tjerë?

Nuk do thoja më e veçantë ngase secili nga ne besoj që është i/e veçantë në mënyren e tij apo të saj.
Por, e rëndësishme është të mundohemi të jemi në hap me kohën, të sjellim gjithmonë gjëra të reja e trendi e pastaj zgjedhja se te cili MakeUp Artist të shkojë i mbetet klientes.

Ke punuar me shumë nga VIP-at shqiptar. Kë do të veçoje ndër ta si klienten tënde më të mirë?

Po, e vërtetë përgjatë këtyre viteve kam qëndruar pranë shumë artisteve duke i bërë të ndihen edhe më të bukura sesa janë.
Jam tejet e lumtur që pata fatin që ato të ma besojnë punën ku siç dihet kujdesi me to duhet të jetë më i shtuar ngase ekrani kërkon thjeshtë MADHËSHTI e një artist i mirë i grimit duhet ta di këtë gjë.
Por, nëse do duhej t’i përmendja me emra janë shumë e kam frikë mos harroj dikë. Lum ne që i kemi e mund t’i bëjmë të shkëlqejnë në skenë.

Nëse do të të jepej mundësia e dytë, çfarë do të ndryshoje?

Ndoshta të ikja për të bërë karrierë jashte trojeve shqiptare! Bëra shaka, jo me thënë të drejten nuk e kam menduar këtë pjesë sepse jam ende e re në moshë, nuk kam bërë ndonjë gabim që të pendohem apo të kem dëshirë ta kthej atë moment.

Për çfarë nuk do të bëje kurrë kompromis?

Hmm, pyetje e interesante! Nuk e di për besë, ndoshta që të imponohesha nga të tjerët, për fat të mirë familja më ka përkrahur që nga fillimi e nuk më kanë ‘detyruar’ për asgjë në botë. Mendoj që në këtë pikë nuk do bëja kompromis por nuk tentoj as të shtyhem me askë dhe nuk i frikësohem fare konkurences sepse tregu ka vend për të gjithë, mjafton ta duam punën dhe do e gjejmë aty ngase ne duhet të vrapojmë pas suksesit, jo ai pas nesh.

Për fund, do doja një mesazh për femrat.
I inkurajoj që të kenë guximin e duhur për të luftuar për atë çka vërtetë duan e mos ti braktisin vizionet apo qëllimet jetësore sepse gjithçka mund të bëhet realitet me punë dhe përkushtim por mbi të gjitha me dashuri ndaj profesionit të zgjedhur me aq pasion sa zgjodha unë. Suksese për të gjithë.

Intervistoi: Vedat Abdi

 

Baby Boo