Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për diasporën


Kuvendi i Shqipërisë ka mbyllur punimet e sesionit të dytë të legjislaturës së nëntë, duke miratuar në seancën e fundit projektrezolutën “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën”, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta në fjalë është miratuar me 76 vota pro, ndërsa deputetët e opozitës, konkretisht të Partisë Demokratike të Shqipërisë, nuk ishin pjesë e seancës parlamentare.

Nëpërmjet rezolutës së miratuar Kuvendi i Shqipërisë kërkon zgjidhjen e së drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit me mekanizma ligjore nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, në bashkëpunim me OSBE-ODHIR.

Gjithashtu, Kuvendi kërkon koordinimin me institucionet përgjegjëse në fushën e diasporës të shtetit të Kosovës për hedhjen e hapave të përbashkët, ku theksohet se është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me shtetet e tjera në rajon.

Sipas rezolutës, kërkohet ndërmarrja e nismave të nevojshme nga organet kompetente për rishikimin e Ligjit “Për Shtetësinë” dhe kuadrit ligjor përkatës për t’u përgjigjur shqetësimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit dhe fenomenit të “pashtetësisë”.

Ndërkohë, po ashtu kërkohet edhe funksionalizimi i organizimit institucional dhe strukturave shtetërore për diasporën brenda vitit 2018 në bazë të legjislacionit të miratuar.

Kuvendi do të fillojë punimet në sesionin të ri në muajin shtator.

Baby Boo