fbpx

Kushtet në shkolla: Prindërit ankohen për kuadër joprofesional

Në disa shkolla të Shkupit numri i nxënësve të regjistruar apo i interesuar për regjistrim është shumë i madh se shkollave tjera, madje ka nxënës që udhëtojnë edhe nga komuna më të largëta drejt një shkolle për shkak të kuadrit arsimor, transmeton Portalb.mk
Prindërit në këtë rast fajësojnë komunën dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lidhur me punësimet partiake dhe me lidhje, të personave joadekuat për të qenë arsimtarë.

“Vendi i jonë është i vogël dhe sadopak i njohim personat se kush janë dhe sa kanë kapacitet. Madje disa i kemi pasë edhe në shkollë dhe i dimë aftësitë e tyre, kurse tani ata janë punësuar nëpër shkolla si mësues e mësuese dhe presin që fëmijët tanë t’i dërgojmë në shkollë te ata. Jo kjo nuk do të ndodh, ne do i dërgojmë fëmijët ku ka kuadër mësimor me cilësor dhe profesional. Na vjen keq për sistemin arsimor në Maqedoni, e sidomos atë shqiptarë, lëre që nuk kanë kushtet e duhura shkollat, por gjithashtu mangësi edhe më e madhe është mungesa e kuadrit mësimor cilësor. Mungesë kjo e cila viteve të fundit po ndjehet ndjeshëm”, thanë disa prindër.

Nga ana tjetër Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaron kushtet për punësimin dhe sipas ligjit, ky dikaster jep vetëm pëlqimin për punësim, kurse konkursin e hap komuna dhe përzgjedhjen e bën shkolla.

“Për punësimin e një mësimdhënësi duhet të plotësohen disa kushte: Nëse ai ka përfunduar universitetin në drejtimin në të cilin është hapur vendi i punës dhe dhënia e provimin profesional i cili është kusht për marrjen e vendimit për punësim me kohë të pacaktuar në ndonjë shkollë. Kjo e dyta nuk është kusht kryesor për tu punësuar me kohë të caktuar, por pas dy viteve punë, mësimdhënësit i takon vendimi i punës me kohë të pacaktuar i cili nuk mund të merret pa kalimin e këtij provimi profesional”, tha për Portalb.mk, zëdhënësja e MASH, Laura Paparaniku.

Ajo shtoi se për këtë provim formohen komisione dhe kandidatët i nënshtrohen testimit, kështu që ata që e japin këtë provim, bëhen mësimdhënës profesional.

“Sipas nevojës, shkollat na njoftojnë se për sa mësues dhe të cikës fushë nevojitet testimi dhe formohet komisioni i përbërë nga anëtar nga MASH-i dhe nga shkolla e cila e bën kërkesën, anëtar që janë njohës të asaj lëndë që jepet provimi dhe kandidatët i nënshtrohen provimit. Ky provim mund të organizohet edhe për ata mësimdhënës të cilët ende nuk plotësojnë kushtet për vendim pune me kohë të pacaktuar”, tha  Paparaniku.

Kurse profesori universitar Avzi Mustafa, kohë më parë fajësoj MASH-in për kuadrin e dobët, pasi që sipas tij duhet të angazhohen më shumë në trajnime dhe në kontrolle të zhvillimit të mësimit nëpër shkollat e Maqedonisë. Dhe sipas tij trajnimet duhet të bëhet në klasë në prani të nxënësve dhe prindërve, dhe jo nëpër hotele dhe salla jashtë shkollave.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.