Kush do të mbetet në Qeverinë e ardhshme?


Largimi i Zoran Zaevit nga pozita udhëheqëse në LSDM dhe Qeveri, shkaktoi një sërë dorëheqjesh dhe zëvendësimesh të disa prej ministrave nga radhët e kësaj partie. Kryeministri Zaev, me shumë gjasa të mërkurën deri në Kuvend do ta deponojë dorëheqjen e tij nga funksioni i kryeministrit.

“Këto ditë përfundojmë me konsultimet me partnerët e koalicionit. Atë që mund ta them është se rrumbullakohen procese të rëndësishme programore, qeveritare dhe kadrovike, kështu që vendimin do ta marr diku kah fillimi i javës që vjen dhe menjëherë do të kumtoj kur ai do të zyrtarizohet para Kuvendit”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Pas kësaj, në dorëheqje do të jetë e gjithë Qeveria, kurse kabinetin e ardhshëm qeveritar pritet ta formojë kreu i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Sipas asaj që ishte paralajmëruar zyrtarisht deri më tani, pjesë e Qeverisë së re nuk do të jetë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili dje nga Ohri e konfirmoi vendimin e tij. Edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila në maj të këtij viti hoqi dorë nga funksionet partiake, dje kumtoi se do të tërhiqet nga Qeveria. Jozyrtarisht mësohet se Qeverinë do ta braktisë edhe zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, i cili më me siguri nuk do të jetë më as sekretar i përgjithshëm i LSDM-së. Në përbërjen e ardhshme qeveritare nuk do të jetë as zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq dhe e Arsimit, Milla Carovska. Tani për tani nuk dihet çka do të ndodhë me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili sipas informacioneve jozyrtare do ta lë këtë post. Megjithatë, ai në një intervistë për Agjencinë shtetërore MIA nuk paralajmëroi një gjë të tillë. Thotë se pret vendime të mençura lidhur me atë se kush do të bëhet pjesë e udhëheqësisë së re, për, siç shtoi, të mund të vazhdohet edhe më fuqishëm.

“Vendimet kadrovike i marrin organet e partisë. Domethënë, kryetari, Bordi Qendror i partisë do t’i marrin vendimet përfundimtare për atë se kush do të jetë pjesë e Qeverisë së re dhe në këtë aspekt absolutisht, mendimi im personal nuk ka asnjë rëndësi. Për mua me rëndësi është se si do të pozicionohemi si parti dhe si do të pozicionohemi si njerëz të cilët do të jenë përgjegjës për drejtimin e shtetit dhe qytetarëve”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Javën e ardhshme pritet të mbahet seanca e Bordit Qendror të LSDM-së në të cilën do të zgjidhet edhe kryesia e re e partisë, pas çka do të mësohet cilët do të jenë nënkryetarët e rinj dhe sekretari gjeneral i partisë.

Baby Boo