Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë dorëheqjen e komisionit për sëmundje ngjitëse


Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përmes një kumtese në facebook kanë kërkuar dorëheqjen e komisionit për sëmundje ngjitëse, pasi që sipas tyre ky komision është bërë instrument politik në duart e Qeverisë.

“Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa edhe një herë kërkon dorëheqjen e komisionit dhe formimin e një komisioni shtetëror me kompetenca të fuqizuara dhe të përbërë nga profesionistë të fushës si epidemiolog, infektolog, imunolog dhe mikrobiolog”, thuhet në kumtesë, transmeton Pa Censurë.

Postimi i plotë:

“Komisioni për sëmundje ngjitëse të dorhiqet sepse është bërë instrument politikë në duart e Qeverisë

Ky teatër që po ndodh në parlament, në tempullin e demokracisë, është indikator për shumicën e brishtë parlamentare dhe një tentative anemike për defokusim nga aferat e shumta kriminale, dështim total në menaxhimin me pandeminë dhe paniku nga potenca politike e opozitës të bashkuar shqiptare.

Pjesëmarrja në seancë parlamentare të deputetëve pozitiv me virus dhe të sëmurë me COVID 19 ishte edhe një skandal i radhës i shkaktuar në relacionin Kryetar i Parlamentit dhe Kryetar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, Xhaferi – Karaxhovski. Ky bashibozlluk i kësaj dyshe dëshmon për qeverisje haotike dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Përkatësisht, z.Talat Xhaferi në një emision televiziv deklaroi se me kërkesë të tij Komisioni për sëmundje ngjitëse ka përpiluar një protokol të veçantë për pjesëmarrjen e deputetëve të sëmurë në parlament e nënshkruajtur nga kryetari i ketij komisioni, dr. Karaxhovski !

Ne, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, disa herë kemi kërkuar dorëheqjen dhe shpërbërjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse për shkak se vlerësojmë se është komision që sjell vendime politike dhe jo profesionale. Për rastin në fjalë dyshimet tona janë se Kryetari i Komisionit ka sjellë vendim kokë më vete ashtu siç e kanë urdhëruar Ministri, Kryeministri ose Kryetari i Kuvendit në tentimin e tyre për të përfituar pikë politike duke krijuar një spektakël mediatik në Kuvend me deputetët e veshur me skafanderë.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa edhe një herë kërkon dorëheqjen e komisionit dhe formimin e një komisioni shtetëror me kompetenca të fuqizuara dhe të përbërë nga profesionistë të fushës si epidemiolog, infektolog, imunolog dhe mikrobiolog.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa -Departamenti për Shëndetësi
24.04.2021- Tetovë”

Baby Boo