Inspektorati shtetëror i tregut konfirmoi abuzimet me vauçerët


Pas informacioneve që Alsat-i i publikoi një ditë më parë për shitjen e vauçerëve shtetërorë, nga ana e qytetarëve, hoteleve dhe qiradhënësve të banesave private, e që janë të publikuara në faqet e internetit të specializuara për shitje, Alsat pyeti në Ministrinë e Ekonomisë, nëse kanë mbërritur edhe deri te ata këto informacione. Por, prej atje shprehen se ata nuk kanë kompetenca në këtë pjesë.

“Për keqpërdorime eventuale të vauçerëve për turizëm, kompetencë për të vepruar ka Inspektorati shtetëror i tregut, e jo Ministria e Ekonomisë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Stojko Paunovski për Alsat tha se nga aktivitetet e deritanishme në terren, inspektorët e tyre kanë vërtetuar parregullsi sa i përket shfrytëzimitë të vauçerëve si në Ohër, ashtu edhe në Strugë. Ai tha se po punohet për zbardhjen e rasteve.

“Kishte situata ku pronari ka pasur tetë apartamente, që mund t’ua lëshojë turistëve, e njëherësh në listë ishin zbuluar 10 vauçerë. Ka edhe parregullsi të tjera. Do të bëhet kontrolli edhe i koncerteve që gjatë ditëve të ardhshme do të mbahen në Ohër. Nëse hyn edhe një vizitor më shumë sesa që duhet, do të vijojnë gjoba për organizatorët“, tha Stojko Paunovski, drejtor i Inspektoratit shtetëror të tregut.

Paunovski paralajmëroi se kontrollet lidhur me vauçerët do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve pas fundjavës festive, si nëpër hotelet ashtu edhe nëpër apartamentet private, dhe se më shumë informacione do të kenë javën e ardhshme. Siç publikuam tashmë, qytetarët me emër dhe mbiemër i shesin vauçerët e këtillë për çmime prej 3000 dhe 4000 denarë, ndërsa ka edhe të tillë që shesin edhe nga dy vauçerë. Është sekret publik se në vend se të shkojnë për pushime, qytetarët ua ofrojnë vauçerët e tyre hotelierëve ose pronarëve të apartamenteve private. Shteti ka ndarë 117.122 vauçerë për turizëm vendor me qëllim që të mbështesë sektorin e turizmit si më i goditur nga kriza e pandemisë por edhe qytetarët me të ardhura të ulëta që të mund të bëjnë pushime verore.

Baby Boo