fbpx

Hoxha: Grafë për etninë në regjistrimin e ri (Video)

Në regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive që paralajmërohet për vitin 2020, duhet të përfshihet edhe grafa për përkatësinë etnike. Përveç kësaj, nevojitet të zbatohen reforma efikase në administratë, të rritet kapaciteti i institucioneve, të përshpejtohet realizimi i investimeve kapitale dhe të mos miratohen ligje pa konsultimin e biznesit. Këto janë disa prej kërkesave të biznesmenëve nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore. Ata gjithashtu kërkojnë që ekipi ekonomik i Qeverisë të jetë ekspeditiv për përmirësimin e klimës së biznesit.

“E vlerësojmë si pozitiv synimin e Qeverisë që të mbahet një regjistrim i popullatës në Maqedoni, por ne kërkojmë kategoria e nacionalitetit të jetë pjesë përbërëse sepse aspekti kulturor është shumë i rëndësishëm për qasjen ndaj konsumatorëve” pohoi Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.

Nga kjo Odë shtojnë se pavarësisht se bëhet fjalë për një kërkesë të kamotshme të biznesit, edhe vitin e ardhshëm nuk do të zgjidhen çështjet infrastrukturore të mbi 270 kompanive të gravitojnë në zonën e Vizbegut. Kjo zonë merr pjesë me rreth 3,4% në Prodhimin Bruto Vendor ndërsa nëpër kompanitë punojnë rreth 2700 punonjës.

“Shqetësuese për ne është fakti që në Buxhetin e vitit 2019 për zonën e Vizbegut janë paraparë vetëm 1 milion euro për kanalizim dhe furnizim me ujë”, tha Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.

Lidhur me rritjen e planifikuar ekonomike prej 2,8% këtë vit, vlerësimi i Odës është se kjo mund të ndodhë nëse realizimi i investimeve kapitale është mbi 80%. Oda nga Qeveria kërkon investime reale e jo fiktive në zhvillimin rajonal ndërsa ideja e disperzimit të pushtetit qendror në më shumë qytete, sipas tyre është koncept i gabuar./Alsat-M/

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.