Eurodeputetët mbështesin Shkupin për eurointegrimet!


Eurodeputetët Andreas Schieder dhe Ilhan Kuçuk kanë konfirmuar mbështetjen për fillimin e negociatave të integrimit me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që është e mundur. Qëndrimet janë përsëritur në takim me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani në Bruksel. Për ministrin Osmani, përfundimi i zgjedhjeve në të dyja vendet krijoi kushte për t’u rifokusuar në angazhimin për gjetjen e një zgjidhjeje.“Konstatimi i përgjithshëm është se dhjetori është një mundësi për t’i tejkaluar dallimet dhe për të filluar bisedimet që priten aq gjatë për Maqedoninë e Veriut. Natyrisht se nuk do të jetë lehtë mirëpo kjo e bën edhe më të nevojshëm kontributin e secilit.”- deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Gjatë qëndrimit dyditor në Bruksel, Osmani ta takuar tet-a-tet edhe komisionerin për zgjerim Oliver Varheji i cili është mbështetës i fuqishëm i fillimit të negociatave me Shkupin.E ndërkohë, Maqedonia e Veriut i ka sytë nga Sofja dhe zhvillimet politike atje. Kirill Petkov, bashkëkryetar i partisë fituese në zgjedhjet e së dielës, “Vazhdojmë me ndryshime”, ka njoftuar se që sot fillon negociatat me partitë politike për formimin e shumicës. Ai ka komunikuar me disa nga liderët e partive më të vogla kurse ka paralajmëruar se do të ketë edhe takime liderësh.

Siç ka deklaruar më herët për mediat, Petkov beson se nuk do të ketë problem me partnerët e koalicionit për çështjen me Maqedoninë e Veriut. Atë planifikon ta trajtojë si çështje me prioritet. Deklaratat e tij deri tani llogariten si inkurajuese. I pyetur nëse ka presion nga SHBA-ja ai shton se nuk ka njeri që do ta merrte në telefon të thoshte bëjeni këtë.“Mënyra e vetme që dikush të na detyrojë të bëjmë diçka është të na bindë se ajo është më e mira për Bullgarinë. Ata nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë. Nëse nuk dilet me ekipe që i dinë edhe përparësitë edhe pikat problematike, nuk ka si të vihet deri te zgjidhja përfundimtare.”- tha Kirill Petkov, mandatar i mundshëm për kryeministër në Bullgari.
Bashkë me zgjedhjet parlamentare të cilat i fitoi partia e Petkov, në Bullgari u zhvilluan edhe zgjedhje Presidenciale të cilat i ka fituar presidenti aktual Rumen Radev. Shkupi beson se procedura për zgjedhjen e presidentit në mandatin e ri përfundon brenda një jave, dhe se ai mund ta formalizonte një marrëveshje eventuale. Megjithatë, gjithçka varet nga qeveria e re në Sofje.

Baby Boo