Duka:”Asnjë i ri dibran nuk do të ikë më”


Hekuran Duka do të jetë kryetari i Dibrës edhe për katër vitet në vazhdim, pasi paraprakisht E drejtoi komunën për dy vite me radhë. Kandidati i BDI-së e fitoi atë të Aleancës për Shqiptarët-Alternativës Bekim Pocesta. Duka mori 4291 vota apo 49.69%, ndërsa Pocesta 4153 apo 48.09%. Pasi shpalli fitoren dhe filloi festa, Duka u zotua se të rinjtë dibranë nuk do të ikin më jasht vendit sepse do t’u siguroj vende pune këtu.

“Do t’ia dalim edhe këto 4 vite dhe Dibra për këto 4 vite do të ndryshojë shumë, pasi që rininë e kësaj Dibre të mrekullueshme e kam prapa. Edhe këtë mandat ju premtoj se nuk do të ikë asnjë i ri nga Dibra më, të gjithë do t’i angazhojmë këtu në problemet të cilat i kemi dhe bashkërisht do t’i zgjidhim”, deklaroi Hekuran Duka – kryetar i Komunës së Dibrës. Në rrethin e parë dhe në rivotimin në vendvotimin 0543, Bekim Pocesta fitoi 49,70% të votave, duke e lënë prapa Dukën me 46,32%. Nisur nga kjo, për Pocestën procesi i votimit është i dyshimtë.

“Gjithë ky proces i raundit të dytë është i dyshimtë sepse dolën në pah të gjitha metodat jo të pastra të atyre që 18 vite e bëjnë të njëjtën gjë, kështu që ngelet ne saktësisht me të gjithë komisionerët tonë t’i shohim të gjitha këto rezultate dhe të shohim si mundet në disa vende edhe në qytet në mënyrë drastike të rritet numri i votave të tyre për kaq kohë të shkurtër”, u shpreh kandidati për Komunën e Dibrës nga ASH-AAA, Bekim Pocesta.

Dibra është e vetmja komunë që dje votoi për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kjo pasi që më 31 tetor në vendvotimin 0543 pati rivotim, kur komunat tjera kishin rrethin e dytë. Në Dibër të drejtë vote kishin 19,211, ndërsa votuan vetëm 8.636 qytetarë, që nënkupton se dalja ishte 44,95%.

Baby Boo