Brenda 10 ditëve 2 aksidente në të njëjtin vend!


Për vetëm dhjetë ditë afër aeroportit të Ohrit, pothuajse në të njëjtin vend kanë ndodhur dy aksidente trafiku, kur kamionë janë përmbysur dhe kanë dalë nga rruga, që po ndërtohet aktualisht. Në aksidentin e një dite më parë janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa vozitësi i kamionit ka mbetur i lënduar. Në rastin paraprak, është përplasur një kamion me targa të Polonisë.

Autostrada Ohër-Kërçovë, e cila është në ndërtim e sipër për tetë vite, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt dhe e rrezikshme për lëvizje, theksojnë ekspertët.“Në shumë pjesë nuk ka bankina të shënuara. Mund të vini në skajin e rrugës ku nuk ka shenja elementare. Automjetet, njerëzit, kamionët dhe autobusët…vozitja e pasagjerëve është rrezik dhe do të jenë rrezik derisa të rregullohet”, deklaroi Lupço Millkoski- konsulent nacional për siguri të rrezikuar.

Për momentin në autostradë nuk po bëhet pothuajse asgjë dhe ajo që është bërë po dështon. Ministria e Transportit për Alsat thotë se aneksi i nënshkruar i marrëveshjes me kompaninë kineze “Sinohidro” për shtyrjen e afatit të ndërtimit, kaloi një ditë më parë në Komisionin parlamentar të Transportit. Presin që në një nga seancat e radhës të vendoset në rend dite dhe të votohet nga deputetët.

“Pas miratimit të aneksit të marrëveshjes, presim intensifikimin e aktiviteteve ndërtimore në pjesën e autostradës”, njoftojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.Afati i fundit për përfundimin e autostradës, sipas aneksit është 31 dhjetori i vitit 2023. Ndërtimi filloi në 2014 dhe duhej të përfundojë në vitin 2018.

Baby Boo