Nëna e Kacifasit: Do të vras Edi Ramën

Masat e autoriteteve shqiptare i ndaluan ekstremistët dhe personat ‘non grata’ të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të Konstandinos Kacifas, 35 vjeçarit të vrarë pasi qëlloi me armë ndaj forcave RENEA në Bularat, Gjirokastër, 40 ditë më parë.

Ndaj edhe protesta dhe reagimet e dhunshme mbetën në anën tjetër të kufirit pasi një pjesë e tyre u përplasën me forcat speciale të Policisë shqiptare.

Ndërkohë forcat shqiptare të Anti-Terrorit ndaluan të shkojë në Bularat kreun e Omonias për Himarën, Fredi Bejleri dhe pesë persona të tjerë. Ata u shoqëruan dhe u morën në pyetje.

Tentativa për të krijuar tension nuk mungoi as në Shqipëri, kur një person u ndalua në dalje pasi nuk pranoi të kontrollohej dhe ofendoi efektivët shqiptarë.

Ishte ky person që gjatë ceremonisë në Bularat lëshoi thirrje anti-shqiptare për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, ndërsa pjesëmarrësit mbuluan me flamuj grekë varrin e 35-vjeçarit.

Me flamurin grek në dorë në një elegji për të birin, nëna e Kacifasit premtonte se do t’i merrte hakun.

“Do të vras Edi Ramën. Më mori trimin tim. Do të ta marr unë gjakun, biri im”, thotë ajo në greqisht, raporton “Oranews”.

Ndërsa e motra e Kacifasit kërkoi që dikush të mbajë përgjegjësi.

Më i matur ishte kunati i 35 vjeçarit, i cili u bëri thirrje kryeministrave të dy vendeve të qetësojnë tensionet mes dy popujve

“Turqia po ndërhyn pa vend. Ne dhe Shqipëria jemi familje dhe e zgjidhim brenda nesh. S’ka nevojë për të tretët”, tha Vangelis Sekellarakis.

Ndërsa në Bularat përkujtohej ekstremisti që i qëlloi policisë, në zëmër të Gjirokastrës u përkujtuan shqiptarët e vrarë në Greqi.

Dhjetëra persona u bënë bashkë në sheshin e “Çerçizit”, pranë konsullatës greke, ku ia morën edhe këngës e valles nën simbolet shqiptare dhe aleatëve historikë.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.