Temperatura në Kinë ka rënë në minus 43 gradë, uji i nxehtë ngrin në ajër

Një mot tepër i ftohtë e ka kapluar pjesën veriore të Kinës. Autoritetet e qytetit Mohe njoftuan se temperatura ka rënë në minus 41 gradë të martën, minus 42 të mërkurën dhe minus 43.5 të enjten, raporton gazeta “South China Morning Post”. I ftohti filloi të ndihej të hënën, kur temperatura ra menjëherë për 20 gradë.

Si pasojë e këtij moti ekstrem, autoritetet u detyruan që për herë të parë ta aktivizojnë alarmin me dritë të kuqe për qytetin, ndërsa alarmi me dritë të portokalltë u lëshua për tërë rajonin. Dukshmëria horizontale është e kufizuar në 100 metra, por moti i ftohtë nuk i ka frikësuar disa turistë që të dalin jashtë dhe ta ndiejnë të ftohtin në lëkurën e tyre.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet një person që e hedh ujin e nxehtë në ajër dhe uji menjëherë kthehet në grimca akulli. Mjegulla e akullt shfaqet vetëm në vendet më të ftohta, kur temperatura bie në minus dyzet gradë. Ajo formohet me kombinimin e lagështisë së madhe të ajrit dhe temperaturave të ulëta, me ç’rast krijohen kristale akulli në ajër.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.