Serbët organizojnë sulm “online” ndaj Kosovës, alarmohen institucionet

Loading...

Institucionet e Kosovës janë goditur nga një sulm i fuqishëm kibernetik që vjen nga Serbia.

Sistemi i postës elektronike është hakuar në tërësi. Sipas Express Qeveria e Kosovës u ka dërguar njoftim ambasadave kosovare për t’i njoftuar rreth këtij sulmi. Janë hakuar email-at zyrtare të shtetit, e kanë frikë se ky sulm mund të zgjerohet.

Qeveria i ka njoftuar të gjithë institucionet se kanë pasur një sulm masiv që vjen prej Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë.

“Ju njoftojmë qe sot prej orës 10:00 kemi pasur sulm kibernetikë masiv dhe i cili është duke vazhduar ende. Sulmi është shume i organizuar dhe vjen nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe tani kur po e bëjë ketë njoftim ka filluar edhe nga Maqedonia”, thuhet në njoftimin që e ka siguruar Express prej burimeve në Qeveri.

Cak i këtij sulmi kanë qenë komunikimet e postës elektronike zyrtare të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, kryesisht në adresë të zyrtarëve diplomatikë.

“Qëllimi i këtij sulmi duket të jetë qe të pamundësoj komunikimin zyrtar të institucioneve te Kosovës përmes postes elektronike zyrtare”, thuhet në njoftimin që Qeveria e Kosovës u ka dërguar institucioneve shtetërore.

Qeveria, siç thuhet në kumtesën e saj, ka marrë masa që të mbajë në funksion postën elektronike.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit-ASHI, ka realizuar te gjitha intervenimet e nevojshme ashtu qe të mbaj funksionale shërbimin e postes elektronike zyrtare si dhe jemi në koordinim më departamentin për krim kibernetike në policinë e Kosovës”.

Ndërsa, kanë frikë se ky invazion mund të zgjerohet edhe në shërbimet e tjera elektronike.

“Ky sulm kibernetik mund të zgjerohet edhe ne shërbimet tjera elektronike online si dhe në institucionet tjera, prandaj Agjencia e Shoqërisë se Informacionit-ASHI në kuadër të kapaciteteve njerëzore dhe teknike që posedon, është e angazhuar në parandalimin e pasojave të mundshme nga ky sulm”.

Gjithashtu, ambasadat njoftohen që komunikimet elektronike nga posta elektronike zyrtare me këto vende të cilat janë burim i këtij sulmi kibernetik janë të kufizuar pas ndërhyrjeve qe kanë bërë.

Loading...
Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.