Debati i tretë publik për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Diskutimi i tretë publik për draft amendamentet për ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë do të mbahet sot në amfiteatrin e ASHAM-it.

Ditë më parë, Kuvendi miratoi tekstet e draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Pas debatit, vijon faza e mendimit ndaj propozim-amendamenteve. Për tekstin e amendamenteve, deputetët e përjashtuar nga OBRM-PDUKM-ja votuan të përmbajtur. Kjo për arsye se presin që pas debatit publik të forcojnë argumentet dhe qëndrimet e tyre ndaj ndryshimeve kushtetuese.

Argumentet pret t’i forcojë edhe opozita shqiptare e cila tashmë disa herë ka paralajmëruar se në fazën e fundit do të ndërhyjë me amendamente në çështjen e gjuhës shqipe dhe përpilimin e preambulës.

Derisa ndryshimeve kushtetuese po u afrohet fundi, trupi për pajtim dhe integrim akoma nuk ka rezultate konkrete. Mbledhja e caktuar u shty për arsye të vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe një pjesë të deputetëve që u ftuan në Prokurori për krim të organizuar për të dëshmuar mbi zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi.

Deri në mesin e muajit dhjetor pritet zgjidhje ligjore për të akuzuarit për 27 prillin. Amnistia apo falja ashtu siç e quan kryeministri Zoran Zaev kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat pritet të votohen në gjysmën e dytë të muajit janar.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.