Si ia doli shqiptari me HIV, të bëhet baba i një fëmije të shëndetshëm!

Gentian Stroni është mjek i infeksionit që punon në shërbimin e Infektivit, në QSUT.

Ai është nga ata mjekë që pavarësisht turneve të ngarkuara dhe me pacientë të shumtë, nuk e kanë lënë ende nervat për të bërë edhe psikologun me të sëmurin apo familjarin e tij, duke i sqaruar deri në detajet e fundit për patologjinë. Mjek që e konsideron punën, jo thjesht një ditë më shumë, por një mision.

Gentian Stroni, mjek infeksionist QSUT

Doktorit i kërkova të shkruante një histori, një rast të cilin jam e sigurt që nuk ka pasur asnjë mundësi ta hedhin në një fletë të bardhë, as të flasë shtretërve të spitalit me të tjerë pacientë, ndoshta me histori të ngjashme. Një histori të një pacienti të infektuar me HIV. Sigurisht, histori të tilla nuk janë të bukura, por jam e sigurt që rastet frymëzojnë për të shpëtuar një tjetër jetë.

Gentian Stroni, mjek i infeksionist, QSUT

Ditari i një mjeku/“Sot më vjen të shkruaj për një nga historitë e mira, që kanë ndodhur me pacientë dhe që vlejnë për t’u kujtuar.

Nëntë vjet më parë një mik me iniciale B.B vjen për të më takuar dhe më thotë: ‘Doktor ti e di që kam bërë një jetë jo shumë të rregullt dhe të kontrolluar, dua të bëj një diagnostikim për problematika me trupin tim, në aspektin infektiv.

Filluam analizat dhe fatkeqësisht rezulton pozitiv për praninë e virusit të HIV-it në gjak, përgjegjësia ishte e madhe, se tashmë ky mik-pacient kishte nevojë fillimisht për një psikolog, për të përballuar traumën e parë të njohjes me këtë lajm, por kush më mirë se një mik do të mund ta bënte këtë. Kështu që mora përsipër edhe detyrën e dhënies së këtij lajmi jo të mirë.

Mbas një bisede të gjatë duke bërë një analizë të situatës, por edhe të mundësive të mjekimit, krijuam edhe strategjinë e bashkëjetesës me këtë sëmundje. Sigurisht që nuk ishte shumë e lehtë për një intelektual të mirënjohur, në shoqërinë e Tiranës, për të pranuar ndryshimin e mënyrës së jetës dhe pikërisht në momentin që e konsideronte kyç për familjen e tij.

Megjithatë, ditët kaluan dhe jeta sjell situata të ndryshme që zbehin hallet dhe i bëjnë problemet më të largëta. Por virusi vazhdonte të bënte punën e tij, duke prishur qelizat mbrojtëse të imunitetit dhe duke e kaluar ngadalë gjendjen nga një infeksion, drejt një sindrome. Tashmë AIDS, po paraqitej me të dhënat e një problematike neurologjike, që pacienti-mik nuk ma referoi, duke menduar se s’kishte lidhje me këtë virus, por me një situatë të re me natyrë neurologjike, për të cilën shkoi edhe në klinika jashtë shtetit për t’u kuruar, por kur mjekët kuptuan statusin, i dhanë mundësinë e fillimit të terapisë antiretrovirale në Shqipëri. Kthimi në atdhe ishte problematik, duke qenë se u shoqërua me largimin nga puna për shkaqe shëndetësore dhe fillimit të një jete të re me vuajtje.

Kohë më pas, nga fillimi i terapisë gjendja po përmirësohej, jeta po hynte në rrjedhën normale, ku përveç të tjerave kërkonte angazhim familjar. Rritja e CD4-s e bëri që edhe kërkesat për jetën të jenë më të mëdha. Konceptimi i një fëmije. Filluan përpjekjet për këtë qëllim. U deshën rreth 2 vjet dhe finalja ishte shumë e bukur, fëmija që erdhi në jetë ishte negativ për praninë e virusit, po kështu edhe bashkëshortja. Jetë e bukur për një familje, që tashmë arrin të përfitojë nga ndihma mjekësore, nga arritjet shkencore, për të trashëguar me fëmijë të paprekur nga kjo problematikë, duke bërë që të mos jetë një numër i vetëm në këtë arritje për mjekësinë e vendit tonë.”

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.