Prokuroria po heton se a janë fshirë bisedat nga hard disqet

Me seriozitet të lartë dhe më kujdes janë duke u hetuar të gjitha aspektet e ngjarjes dhe po punohet në verifikimin e përgjegjësisë eventuale penale, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë publike Elizabeta Nedanovska pas informacionit se janë përgjuar telefonatat në Prokurori.

Ajo tha se procedura është hapur menjëherë pas informacionit që bisedat telefonike që  janë kryer nëpërmjet linjës fikse të telefonisë në objektin e prokurorisë publike, janë incizuar, transmeton Makfax.

“Edhe pse të dhënat e gjetura me bisedimet e incizuara në dy hard disqet e centralit telefonit datojnë nga 30 shtatori i vitit 2016, ekzistojnë indikacione që tregojnë se incizimi ka zgjatur qysh nga blerja dhe instalimi i pajisjeve, gjegjësisht nga viti 2013. Në atë drejtim po verifikohet se a janë fshirë bisedat e incizuara apo janë transferuar në ndonjë pajisje tjetër”, tha Nedanovska.

Siç njoftoi ajo, sipas njohurive të tyre dhe hetimeve, incizimi është bërë në dy hard disqe nga centrali i telefonisë në objektin e ri të Prokurorisë publike. Në kuadër të procedurës, është duke u hetuar edhe dokumentacioni i tenderit për furnizimin me pajisje dhe autorizimi për përdorimin e tyre.

Prokuroria publike është duke punuar në hetimin e indikacioneve që tregojnë se sistem i njejtë apo i ngjashëm eshtë përdorur edhe në institucionet tjera të gjyqësorit.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.