Misteri me Millosheviçin: Trupi iu varros në Serbi, por truri i mbeti në Hagë për eksperimente

Trupi i ish-presidentit të Serbisë qëndron nën një pemë bli në oborrin e familjes së tij në Pozharevac të Serbisë, por truri i tij sipas të gjitha gjasave ka mbetur në Hagë, shkruan edicioni i BBC-së në gjuhën serbe.
Sipas medias britanike këtë e kanë konfirmuar shumë njerëz të cilët kanë folur për këtë çështje korridoreve të tribunalit pas vdekjes së Sllobodan Millosheviçit. “Trupi i është dorëzuar familjes, por truri është i mbyllur në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Holandës në Hagë”, thuhet në shkrimin që citon Express.

Pas vdekjes truri i Milllosheviçit i ishte nënshtruar autopsisë si pjesë e hetimit që ishte kryer nga autoritetet holandeze të Tribunalit të Hagës. Megjithatë për një analizë më të thellë që patologët holandez dëshironin të kryenin, thuhet se e kishin ndalur trurin e Sllobodan Millosheviçit në Institut.

“Mbaj mend se trupi i Millosheviqit në mars të vitit 2006 u kthye në Serbi pa tru”, ka thënë Crhstian Chartier për BBC, që në atë kohë ishte zëdhënës për gjykatën. “Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas, nëse truri ose një pjesë e tij i janë kthyer familjes apo kanë mbetur në Institut, apo ndoshta është shkatërruar”, ka shtuar ndër të tjera Chartier.

Edhe Florans Artman i cili ishte zëdhënëse e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karala Del Ponte, pohon përafërsisht të njejtën gjë. “Për shkak të ligjeve strikte holandeze për pvrivatësinë, ne nuk kemi qenë në gjendje për të verifikuar nëse kanë mbetur në Hagë vetëm truri apo edhe disa pjesë të tjera të trupit. Një informacion i tillë mund të merret vetëm tek autoritetet holandeze ose ato shtetërore serbe, apo anëtarët e familjes”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësja e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Holandë thotë se “Për fat të keq ne nuk jemi të lejuar të japin informacione për raste të veçanta, përveç me kërkesë të personave juridik të autorizuar”, ka thënë ajo për BBC. “Në përgjithësi, megjithatë, Instituti ka të drejtë të mbajë disa pjesë për hulumtime të mëtejshme, për shembull, për analiza toksikologjike,” ka shtuar tutje Jansen, shkruan Express.

Sllobodan Millosheviç vdiq nga një sulm në zemër në mëngjesin e 11 marsit të vitit 2006 në Tribunalin e Hagës në Holandë. Ai po gjykohej për krimet makabre të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.