Huazimet sllave në gjuhën shqipe

Përpunoi Mr. Donika Bakiu

Huazim –Fjalë a njësi tjetër gjuhësore, që është marrë prej një gjuhe tjetër dhe përdoret në gjuhën amtare. Huazimet sllave kanë depërtuar drejtpërdrejt në gjuhën shqipe gjatë marrëdhënieve historike me gjuhët sllave të Ballkanit. Këto huazime kanë depërtuar në shqipe pas shek.IX. Sllavizmat që kanë depërtuar në të folmet jugore dhe ato të Shqipërisë së mesme kanë disa karakteristika të bullgarishtes, si p.sh. mezhdë, opingë, ndërsa ato që kanë depërtuar në të folmet veriore, kanë disa karakteristika gjuhësore të serbokroatishtes si p.sh. grusht, kyç, kosë, kosh, kovë, lopatë, nevojë, prag, strehë, zakon etj. Disa nga fushat leksikore të fjalëve sllave janë emra të lidhjeve farefisnore dhe trupi p.sh: xhaxha, teto, grusht, kockë, trup etj.; kafshë, shpendë, peshq, insekte: mace, maçok, zhabë, kokosh, patë, patok, harabel, krap, karkalec etj.; shtëpia dhe orenditë shtëpiake: strehë, prag, grazhd, oborr, kotec, orendi, kovë, saç etj.; bujqësia, blegtoria, zejtaria: bashtinë, branë, brazdë, kastravec, kosë, osh, lopatë, pleh, gozhdë etj.; jeta shoqërore, administrata etj.: bujar, dobi, gjobë, kasnec, krahinë, nevojë, rob, zakon etj.; mbiemra:i begatë, i vobektë etj.; folje: avit, darovit, godit, gostit, habit, neverit, padit, porosit, prashit, vadit, vozit, nuhas/nuhat, vikas/vikat etj. Fjalët e huaja, duke hyrë në gjuhën tonë, mund të kenë pësuar edhe ndryshime në formë e përmbajtje.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.