A PO PËRSËRITET HISTORIA?

Loading...

Nga Ruzhdi Matoshi

Në këtë dhjetor bëhen dy vite nga zgjedhjet parlamentare në Maqedoni.
Shqiptarët ende mbesin me shpresën se do të bëhet mirë. Edhe sa do të zgjasin
pritjet që populli shqiptar të heq shqetësimin se në shtetin e Maqedonisë nuk do të
punohet me hile gjersa mendojnë se “do të bëhet mirë?” Si mund të bëhet mirë kur
nuk kërkohet llogari për gjendjen me të cilën pajtohemi se është e palakmueshme?
A erdhi kjo gjendje vetvetiu si ndonjë “ligj i natyrës”, apo e solli dikush me
veprimet e tyre? Jo dikush, por shumëkush, duke përfshirë edhe një pjesë të
shqiptarëve, e solli këtë gjendje. Të shohim shkurtimisht se si.
Pas rrënjës së komunizmit u formua lidhja socialdemokrate e Maqedonisë
(LSDM), një parti që trashëgoj ish-komunistët, të cilët doktrinat politike të tyre i
formuan me punë dhe vepra kundër shqiptarëve. Kujtojmë krijimin e Universitetit
të Tetovës, deformimin e procesit zgjedhor përmes manipulimit me listat e
votuesve dhe ngjarjet e Gostivarit, ngjarje të cilat LSDM e asaj kohe vepronte duke
etabluar doktrinat e saj politike në njërën anë kundër shqiptarëve dhe të drejtave të
tyre, dhe promovimin e kursit politik të Sërbisë e cila me dhunë aspironte të
dominonte Ballkanin në anën tjetër.
Në zgjedhjet e vitit 2016, LSDM mori 49 deputetë, në mesin e të cilëve
kishte edhe shqiptarë përmes të cilëve thirreshin në atë se elektorati i kësaj partie
është rritur për 60 deri 70 mijë votues shqiptarë. Nga kjo dolën edhe shqiptarë në
ekzekutiv në emër të kësaj partie. Me të drejtë tani lind pyetja se a është kjo parti si
e kohës që punonte kundër shqiptarëve, apo e ka harruar zanatin e vjetër vetëm
duke u paketuar dhe modifikuar se është për gjithë qytetarët? Në dhjetor të këtij
viti bëhen dy vite nga humbja e regjimit VMRO-BDI i cili shkoj në theqafje me 27
prill të 2017. Por nga ajo ditë e këndej, ende nuk kemi veprime konkrete
ekonomike, investime infrastrukturore apo vizion i cili do të nderonte gjendjen për
më mirë. Programet e LSDM-së të cilat po promovohen, vërehen se në përmbajtje
kanë urrejtje, bolshevizëm, janë antishqiptare dhe se atyre iu qëndron prapa ende
politika e vjetër e cila ishte e ngarkuar me antishqiptarizëm.
Propozimi i entit statistikor për regjistrimin e popullsisë është komplet
antishqiptar dhe kamuflon realitetin etnik në Maqedoni. Ky propozim i ka rrënjët
pikërisht tek ajo politika e vjetër e kësaj partie, pra nga laboratorët të cilët e
deformuan realitetin elektoral që shqiptarët në Maqedoni nuk përfaqësohen aq sa

janë realisht, dhe se kjo parti ishte e para që zbatoj deformimin e listave zgjedhore

me votues fiktiv në të gjithë republikën.
Propozimi për skemën apo shtesën për fëmijën e tretë nga ministrja
Carovska e kësaj partie po ashtu është antishqiptar, sepse kjo e paska kuptuar mirë
e mirë, se nga kjo skemë më shumë para po merrkan shqiptarët! Propozimi i
skemës sociale ku çdo qytetar i Maqedonisë i moshës mbi 65 vjeçare do të marrë
nga 100 euro, e vendosin kushtin që, përfituesit e kësaj skeme së paku të kenë një
ditë pune të lajmëruar me kontribute. Këtu lind pyetja: kush nuk e plotëson këtë
kusht? Dhe përgjigja dihet; vetëm ne shqiptarët në Maqedoni, me mijëra nëna
shqiptare dhe baballarë shqiptarë nuk e plotësojnë këtë kusht. Propozuesi edhe këtë
e ka menduar mirë, dhe kjo përveç se është antishqiptare është edhe fashizoide,
sepse me çdo kusht synon t’i ndajë qytetarët, e më konkretisht, t’i dëmtoj
shqiptarët.
Çka bënë BDI në gjithë këtë bosht të politikave diskriminuese dhe haptas
antishqiptare? Si çdo herë, kjo parti e luan lojën vetëm të spektatorit e jo të jetë
mbrojtëse e shqiptarëve nga të cilët merr dhe mandat për t’u bërë pjesë e qeverisje
së Maqedonisë. Po ua rikujtojmë se kur ishte në bashkëqeverisje me VMRO-në,
përveç përtharjes ekonomike ku tek shqiptarët nuk u investua asgjë, u mundua të
na e shes “Shkupin 2014” si i mirë edhe për shqiptarët, stemën e shtetit me Luan
edhe si e shqiptarëve, u munduan ta përjashtojnë diasporën me ligjin për
letërnjoftime, tekstet shkollore katastrofale, etj. Tani edhe me LSDM-në po vepron
njëjtë. Ajo, pra BDI, nuk merr pjesë në propozime dhe nuk ka qëndrime të caktuara
për problemet dhe propozimet që bënë LSDM. Ky qëndrim absurd i BDI-së i ka dy
dy vlerësime të dënueshme. I pari, “bojkoti” ose heshtja ndaj propozimeve të
LSDM-së, të cilat siç e kemi vërejtur deri më tani kanë qenë dhe mbesin
antishqiptare, nënkupton edhe mbështetjen e atyre propozimeve nga BDI. E dyta,
mungesa e qëndrimeve të caktuara, sidomos e kritikave kundër politikave
antishqiptare, krijon bindjen se BDI është përgjegjëse për diskriminimin e hapur
kundër shqiptarëve po aq sa VMRO dhe LSDM. BDI funksionon po thuaj se e
ndarë në dy blloqe, ku njëri është pro VMRO-së, kurse tjetri pro LSDM-së. Vetëm
lob pro shqiptar nuk ka në BDI.
Shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të jenë ende pa të drejtat elementare
sociale dhe ekonomike. Ne nuk kemi përfaqësim të drejt dhe adekuat, nuk kemi
ekonomi në rritje apo rimëkëmbje, e as sistem arsimor që lë për të dëshiruar. Ende
kemi shqiptarë që janë të privuar nga e drejta për të mësuar në gjuhën shqipe, dhe

për këtë më së miri flasin rastet e shkollave të mesme në Veles apo shkollat fillore
në Çashkë. Ligji mbi përdorimin e gjuhës shqipe ka ngelur në labirintet burokratike
të institucioneve të shtetit. Perspektiva ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të
punës është thuajse zero, dhe kjo po rezulton me ikjen masive të të rinjëve
shqiptarë nga Maqedonia.
Diskriminimet kundër shqiptarëve në Maqedoni nuk është e thënë të mbesin
të njëjtja; ato evoluojnë dhe transformohen, ose siç thotë një fjalë popullore shqipe
“ujku qimen e ndrron, por zanatin nuk e harron.” Kur u “del afati” disa
diskriminimeve dhe fillohet të lëshohet pak pe dhe vazhdohet me diskriminime
tjera në sferën politike, ekonomike dhe sociale kundër shqiptarëve. Fatkeqësisht,
në këtë ujk që e ndrron qimen por jo edhe zanatin e diskriminimeve, marrin pjesë
edhe një numër i madh shqiptarëve të grupuar në BDI thuajse me tërë partinë, herë
duke u bërë pjesë e diskriminimeve përmes VMRO-së, e herë përmes LSDM-së.
Kryesorja, zanati i tyre nuk harrohet. “Hajt se bëhet mirë” ose “vijnë gjërat n’ven
t’vetin”, do të thoshit disa ose shumica prej jush. Jo, nuk bëhet mirë ose gjërat nuk
bijnë në vend të vetin, derisa nuk kërkohet përgjegjësi për aktorët që e sollën këtë
situatë, madje edhe ndëshkimin e tyre për gjendjen ku ata ishin lojtarë.

Loading...
Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.