Dëshmia e Feta Alimit për 27 Prill-in!

Prej kur se kaloi një vit në paraburgim, i akuzuari Goran Angellovski – Qoseto, sot në seancë publike në Gjykatën e Apelit kërkoi që t’i hiqet masa e paraburgimit në këmbim të marrjes së pasaportës jo për t’u mbrojtur në liri, por të mbetet në burg shtëpiak. Avokati Dragan Peshevski para shkallës së dytë të gjyqësorit tha se nuk ekziston rreziku për arratisje, duke thënë se Angellovski nuk ka para e as synim për të ikur nga Maqedonia.

“Gorani është njeri në moshë të mesme, duke u mbajtur në paraburgim më shumë se një vjet. Klienti im nuk ka kryer asnjë vepër të rëndë penale më 27 prill të vitit të kaluar, por vetëm se ka hyrë në Kuvend. Ja këtu e keni edhe pasaportën e tij si dëshmi që ai nuk do të ikë dhe do të ishim të kënaqur me masën burg shtëpiak”, tha Dragan Peshevski, avokat.

Edhe i akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha në seancën publike të Gjykatës së Apelit kërkoi të lirohet nga paraburgimi, duke u arsyetuar se nuk do të përsërisë arratisjen, siç ndodhi gjatë hetimeve për rastin e 27 prillit kur ai ishte arratisur, për siç tha, shkaqe familjare. Avokati i tij Zvonko Davidoviq tha se masa e paraburgimit atyre iu vazhdua për herë të shtatë dhe se për klientët e tij nuk pret amnisti nga shteti përderisa nuk është vërtetuar fajësia e tyre.

“Nuk jam për amnisti deri sa nuk kryhet rasti, nuk bëhet aktgjykim i plotfuqishëm dhe pastaj politikanët le të vijnë në shprehje. Amnistia është mjet politik për të zgjidhur problemet juridike që na ka sjellë deri në këtë situatë që jemi. Së pari të kryejmë gjykimin, të konstatojmë çfarë është e vërtetë e çfarë jo. Një gjë mund ta them, atje ka njerëz që jemi të bindur se janë të pafajshëm, posaçërisht për këto vepra penale. Duke i amnistuar këta, gjithmonë do të jenë të shenjuar dhe kurrë nuk do të mund të heqin atë njollë dhe të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, u shpreh Davidoviq.

I akuzuari i tretë që sot u lut në Apel për zbutje të masës së paraburgimit ishte edhe Nikolla Mitrevski – Kolo. Gjykata e Apelit ka afat prej 48 orësh të marrë vendim se a do t’i lejoj të akuzuarve masa më të buta. Ndërkaq, në seancën e sotme të 27 prillit në Gjykatën Penale u dëgjuan dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga avokati i të akuzuarit Fetah Alimi. Shpëtimtari i deputetit të Zijadin Selës nga ngjarjet e dhunshme në Kuvend solli ish-kolegët e tij nga sigurimi për të dëshmuar, siç tha avokati, pafajësinë e Alimit.

Përgatiti: Adnan Qaili

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.