900 veta përfitojnë nga amnistia që po përgatitet në Maqedoni, ja kategoritë

900 të dënuar pritet të lirohen nga qelitë të cilët përfitojnë nga amnistia, e cila pritet të kalojë së shpejti në Parlament. Qeveria propozoi projektligjin ku parashikohet të përfitojnë nga amnistia, të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në tre vjet, për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet. Gjithashtu, në projektligj parashikohet të amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.

Ndërkohë një tjetër kategori, që përfitojnë janë femrat e dënuara, të cilat në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, ndërsa meshkujt, baras ose mbi moshën 60 vjeç. Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po cilat janë kategoritë e të dënuarve që përjashtohen nga amnistia. Ja çfarë parashikon projektligji.

“Të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, apo ata që kanë kryer vepra penale kundër fëmijëve martesës ose familjes, nuk përfitojnë nga kjo amnisti”. Në draft parashikohet se “Nuk përfitojnë nga amnistia, as të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve”. Një tjetër kategori që përjashtohet janë edhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

Aktualisht projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë i është dërguar për mendim prokurorisë së përgjithshme dhe Ministrisë së brendshme. Pasi këto institucione të japin mendimin e tyre, drafti kalon për diskutim ne qeveri dhe votim në Parlament. Nga amnistia e fundit që u dha në 2016, përfituan mbi 700 të dënuar.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.