Ministria e Diasporës pezullon nga puna zyrtarin që dha 3 mijë euro ryshfet

Ministria e Diasporës ka informuar se ka pezulluar nga detyra zyrtarin P.M, i cili u arrestua me dyshimin se dha ryshfet 3 mijë euro.

Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Diasporës ka marrë vendim për pezullim nga puna ndaj zyrtarit P.M, kjo pasi i njëjti kishte bashkëpunuar me një gardian duke i dhënë atij 3000 euro para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë, njofton gazetametro.net.

“Sekretarja e Përgjithshme e MDIS, bazuar në ligjet e aplkueshme ka marrë vendimin e menjëhershëm për pezullimin parandalues të zyrtarit P.M. nga detyrat si zyrtar në MDIS deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Diasporës.

Ndërkaq Metro ka raportuar edhe më herët në lidhje me këtë rast, kurse sot Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se nesër do të vendosë për masën e arrestit ndaj zyrtarit të Ministrisë së Diasporës (P.M) dhe gardianit të Shkëmbimit korrektues (S.V).

Mbajtjen e seancës së nesërme e ka konfirmuar për Gazetën Metro, Zyra për Informim e Gjykatës Themelorë në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me caktimin e seancës për masë të sigurisë për dy të arrestuarit S.V dhe P.M.Seanca dëgjimore për caktim të masës së sigurisë është caktuar të mbahet nesër paradite”, kanë thënë nga kjo Zyrë për Metron.

Të arrestuarit dyshohen për 3 vepra: ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënie e ryshfetit’ si dhe ‘përvetësim në detyrë’.
Siç njoftoi Policia gjatë ditës, dy të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë./gazetametro.net

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.