Hoxhaj viziton marketin që nuk shet produkte serbe, bën thirrje për “patriotizëm ekonomik”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar një market në qytetin e Ferizajt,karakteristikë e të cilit është se aty nuk shitet asnjë produkt serb.

Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj tha se pronari i “Plus Market” është shembull i mirë i përfaqësimit të prodhimit vendor.

“Jemi te Neziri i cili është shembull i mirë i përfaqësimit të prodhimit vendor së bashku me drejtorin e Prodhuesve të Kosovës. Qe një kohë të gjatë është shembulli më i mirë se si Kosova mund të prodhojë produkte të ndryshme vendore dhe se si qytetarët mund t’i konsumojnë produktet të cilat prodhohen në Kosovë, produkte me cilësi e standarde evropiane”.

Zëvendëskryeministri ftoi qytetarët e Ferizajt që ta vizitojnë këtë market dhe produktet serbe t’i zëvendësojnë me blerjen e produkteve vendore, raporton Ekonomia Online.

“Kjo është mënyra më e mirë për të treguar se Kosova ka nevojë për një patriotizëm të ri ekonomik dhe zotëri Neziri është shembull i këtij patriotizmi të mirëfilltë ekonomik. Unë i ftoj qytetarët e Ferizajt që të vijnë dhe t’i blejnë këto produkte vendore. I ftoj supermarketet e tjera që t’i zëvendësojnë produktet serbe me produktet vendore, që derisa Serbia mbush buxhetin e saj duke bërë tregti me Kosovën, duke goditë sovranitetin tonë, ne ta dëshmojmë këtë përmes një patriotizmi të ri ekonomik, përmes një vetëdije të re shtetërore, mbi të gjitha duke mbështetë produktet e tona”.

Sylejman Neziri, pronari i “Plus Market”-it ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të largohen nga përdorimi i produkteve serbe, raporton EO.

“U kisha bërë ftesë të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të Komuëns së Ferizajt, që të largohen sa më larg, që ta ruajmë rininë tonë, sepse po ta përkrahim prodhimin vendor, rinia jonë nuk do të rrinte ambasadave”.

“Për çdo ditë ne kemi propagandë nga Serbia që mos ta njeh Kosovë. Edhe ato njohje që i kemi pasë po mundohet me i hjekë. Kjo për mua është absurde që i themi vetes shqiptarë ta qesim në tavolinë një artikull që nuk është i mirë për popullin tonë”.

Kurse Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve tha se shpreson që deklaratat e zëvendëskryeministrit të ndikojnë në blerjet e konsumatorëve.

“Falënderoj zëvendësministrin për deklaratat, që shpresoj të ndikojnë edhe të konsumatori që ta ndryshojë sjelljen në markete. Si shembull konkret se çfarë produkte duhet të ketë një supermarket në Kosovë, është supermarketi i agës Sylë, ku kemi artikuj të ndryshëm të Kosovës, që besojmë se mund t’i ketë secili prej supermarketeve tonë”.

“Përveç që duhet të marrim masa reciprociteti me Serbinë, ne duhet të punojmë edhe në supermarketet tona që të marrim më shumë produkte të Kosovës, sepse e ardhmja jonë është duke punu në Kosovë, duke prodhu dhe konsumu në Kosovë”.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.