Halil Kastrati rrëfen për sëmundjen e djalit, një person i ofron veshkën

Ndihmoi shumë jetim e bëri me kulm shumë familje të pastreha, pa fituar asgjë në këmbim. Por, tani Hoxha dhe humanisti i njohur, Halil Kastrati ka nevojë për ndihmën e qytetarëve.Kjo nuk është ndihmë financiare, por ndihmë shpirtërore, duke u lutur që djali tij Uvejsi të shërohet nga sëmundja e rëndë me të cilën është duke u sfiduar.

Bamirësi Halil Kastrati në një intervistë për Indeksonline ka thënë se djali i tij është në Beograd ku po merr tretman mjekësor. Ai është shprehur se djali tij po merr një terapi të rënd e cila ia ka humbur edhe shikimin.“Ne kemi shprehur se kemi nevojë për lutjet e juaja dhe kjo fjalë e imja ka marre vërshime të mëdha të lutjeve. Djali e ka një terapi shumë të rënd, bëhet fjalë për një damar të trurit e cila ja ka hup shikimin krejt, edhe varet prej terapisë nëse reagon atëherë do të këtë shpresa për të, e nëse jo atëherë çka ka deshtë zoti. Unë çdo moment jam duke pritur lajm nga jashtë ku është djali. Djali është ne Beogradi. Beogradi i ka nxjerr diagnozën e saktë se na e kemi pasur në disa vende, Shkup e Turqi. Ata i kanë nxjerr diagnozën dhe është duke u trajtua atje”, ka thënë Kastrati me një zë të ngrysur.

Për djalin e Halilit, shumë qytetarë kanë shpërndarë duke bërë lutje, e shumë të tjerë i kanë shkruar privatisht atij duke shprehur gatishmërinë për ndihmë qoftë edhe financiare. Mirëpo, Kastrati thotë se nuk ka nevojë për financa e donacione, por vetëm lutje për shërim të djalit.“Po unë e kom bo këtë lutje në disa media, me kanë thirr disa njerëz. Por, ne nuk kemi nevojë për dhurim veshkave, donacione, ndihma. E vetmja ndihmë që kemi nevojë janë lutjet e juva te Zoti. Unë i jam mirënjohës krejt popullit tem, i jam mirënjohës politikanëve, me kanë thirr disa Behgjet Pacolli, Sami Lushtaku, Bekim Jashari, me kanë thirr shumë… nuk e di telefoni jem është aktiv pa ndërprerë nga thirrjet, u jam mirënjohës shumë. Mirënjohës u jam edhe juve mediave, që e keni publiku mesazhin tonë, faleminderit u jem mirënjohës të gjithëve familjarisht”, ka shtuar humanisti Kastrati.Ai tutje ka treguar se dy raste ka pasur që njerëzit kanë ofruar edhe veshkë për shërimin e djalit të tij.

“Ishte njëri i Ferizajit, njëri i Prizrenit. Do të takohemi me atë të Prizrenit. Ka pas shumë gatishmëri prej institucioneve e popullit. Por, e vetmja gjë që kemi kërkuar janë lutjet. Nuk kemi kërkuar as donacione as asgjë, pos lutje”, ka rrëfyer tutje ai. Përveç dy rasteve, edhe një veteran i luftës ka shprehur vullnet që të dhurojë veshkën për Uvejsin, djalin e Kastratit. Veterani i luftës në zonën e Dukagjinit dhe ish oficeri i TMK-së, Shqiprim Lika për Indeksonline ka thënë se pa asnjë hezitim mund të dhurojë veshkën për djalin e sëmurë.

“Nuk e njoh personalisht, por vetëm e pash si lajm që fëmija i tij ka nevojë për shërim. Si veteran i luftës, si qytetar, si bashkëvendës për shkak të gjendjes së fëmijës së tij, mund ta dhuroj edhe veshkën temë, këtë mundësi e kam. Një veshkë e dhuroj për atë fëmijë nëse ka nevojë, pa asnjë hezitim”, ka thënë Lika. Ai është shprehur se këtë e bënë për shkak të ndihmave që Halil Kastrati ka bërë për qytetarët e Kosovës, e të cilin e çmon shumë për angazhim.

“Duke parë të bëmat si humanist, nuk e njoh personalisht, por qytetarët i ka ndihmuar shumë. E çmoj shumë angazhimin e tij për popullin dhe me preku shumë. Kjo është arsyeja pse u lajmërova vet vullnetarisht”, ka përfunduar ai. Kujtojmë që Halil Kastrati i ka dalë në ndihmë shumë familjeve me gjendje të vështirë ekonomike. Ai deri me tani ka arritur që t`u sigurojë kulm mbi kokë 100 familjeve, ndërsa shpreson se deri në fund të këtij vitit ky numër të dyfishohet. Kastrati e drejton shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit” e cila është e shtrirë në tërë territorin e Kosovës ndërsa, kuzhinat humanitare janë prezentë në tre qytete: Mitrovicë, Pejë dhe Prizren ku ushqehen jetimët, skamnorët e të pastrehët.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.