Miku i shqiptarëve, Eliot Engel rizgjidhet në Kongres

Kongresmeni amerikan dhe miku i shqiptarëve, Eliot Engel është rizgjedhur pa kundërshtarë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai u rizgjodh të martën si përfaqësues i distriktit të 16 kongresional të Nju Jorkut, që përfshin pjesë të Bronxit dhe kontesë Westchester.

Engel, një demokrat, tha në një intervistë të kohëve të fundit se, këto janë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme në përpjekjet e partisë së tij për të fituar shumicën në Kongres, për t’iu kundërvënë politikave të presidentit republikan, Donald Trump.

“Me shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ne jo vetëm do të jemi në gjendje ta vendosim këtë president përpara përgjegjësisë, por ne mund të çojmë përpara edhe agjendën tonë progresive. Më në fund, ne mund të ngrihemi për kujdesin shëndetësor, ambientin, institucionet tona demokratike, të drejtat e emigrantëve dhe të grave, reduktimin e taksave për shtresën e mesme, etj.”, tha Engel.

Eliot Engel ka qenë anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin amerikan. Ai ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe Kosovën dhe nuk ka humbur asnjëherë rastin të shprehë afrimitetin e tij për shqiptarët.

Në mënyrë të veçantë, ai ka punuar jo pak për Pavarësinë e Kosovës, e siç shkruante edhe “Washington Post” vite më parë, kauza e Kosovës është mbajtur gjallë në Uashington falë përpjekjeve të kongresmenit Engel.

Ai ka luftuar spastrimin etnik në Kosovë në vitin ’99 dhe ka lobuar në Kongres për pavarësinë e saj. Një rrugë mban emrin e tij në qytetin e Pejës, ndërsa ai ka qenë i pari zyrtar i lartë i huaj që ka folur në Parlamentin e Kosovës. Ndaj, edhe kjo fitore e tij në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, nuk mund të kalonte pa një “lumë” urimesh nga ana e përfaqësuesve politikë kosovarë.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.