Kallëzim penal për një inspektor të DAP-it

Policia ka ngritur kallëzim penal kundër një inspektori tatimor i Drejtorisë për të Ardhura Publike që është kapur duke marrë mito prej pesë mijë eurosh nga një pronar restorani në Qendrën Tregtare të Shkupit. Siç informon policia, 62 vjeçari i DAP-it, kishte bashkëpunuar me kontabilistët e pronarit të lokalit për t’i marrë pesë mijë eurot dhe ia kishte arritur qëllimit. Por, disa minuta pasi i kishte marrë paratë, e kishte parë veten në pranga.

Policia e kishte zënë në flagrancë dhe e kishte arrestuar menjëherë. Sot policia e kishte dorëzuar të dyshuarin tek prokurori publik me kallëzim për mitmarrje dhe ndërkohë i kishte arrestuar edhe kontabilistët bashkëpunëtorë. Inspektori e kishte mashtruar pronarin e lokalit se gjoja firma e tij kishte një borxh tejet të madh ndaj DAP-it, dhe për tia hequr borxhin, duhej të paguante një shumë më të vogël të mitos, njofton Shenja.

“Inspektorin e kanë ndihmuar kontabilistët, nëpërmjet të cilëve ai i ka kërkuar pronarit të lokalit pesë mijë euro, të cilat i ka marrë. Si shkëmbim, inspektoi gjoja do të fshinte një borxh të madh të firmës që e kishte ndaj DAP-it. Pronari i lokalit e paraqiti rastin më 9 tetor, dhe pas kësaj menjëherë janë ndërmarrë aktivitete. Dje, më 5 nëntor, personi i dëmtuar ka bërë takim me personin e dyshuar tek Qendra Tregtare e Qytetit, ku ia ka dhënë miton prej 5 mijë eurosh. I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa pastaj janë arrestuar edhe kontabilistët”, informoi policia.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.