fbpx

14-Vjeçarja lind fëmijë në Gjilan

Një vajzë 14-vjeçare nga fshati Uglar i Komunës së Gjilanit, është bërë nënë më 24 nëntor të këtij viti. Gazeta Insajder merr vesh se lindja e foshnjës është bërë nga një rast incesti ku vajza 14-vjeçare ka kryer marrëdhënie seksuale me djalin e dajës 16-vjeçar.
Mirëpo foshnja që ka ardhur në jetë nga marrëdhënia seksuale e dy të miturve është braktisur. Ajo është duke qëndruar ende në spital, raporton Insajderi.

14-vjeçarja ka lindur në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Nga Policia e Kosovës kanë treguar se edhe babai i foshnjës është i moshës së mitur, Sipas informacioneve që janë dhënë për Insajderin babai i foshnjës është vetëm 16-vjeçar.

Vajza që ka lind e ka datëlindjen më 10.06.2004 rasti është raportuar me 24 nëntor, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, fëmijën e ka me një person që është i lindur me 10.01.2002”, ka konfirmuar për Insajderin Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Nga Spitali Rajonal i Gjilanit kanë konfirmuar për Insajderin se foshnja është braktisur por është duke vazhduar të qëndrojë në spital për shkak se është ende me terapi.

Kryeshefi i Departamentit për nëna dhe fëmijë, Blerim Bajrami, nga Spitali i Gjilanit ka thënë për Gazetën Insajderi se foshnja është braktisur dhe se pas Vitit të Ri pritet që foshnja të merret nga institucionet përgjegjëse.

Foshnja është e braktisur, qendra për punë sociale ka dashtë me marr për me dërgua tek institucionet përgjegjëse mirëpo nuk e kemi liruar për shkak se ka qenë me terapi dhe pas Vitit të Ri besoj që do të vinë ta marrin”, ka thënë Dr. Blerim Bajrami.

Kujtojmë se të martën e kësaj jave në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lindur një vajzë 13-vjeçare.

Gazeta Insajderi ka raportuar se 13-vjeçarja është e martuar në Gjakovë dhe është shtetase e Shqipërisë.

Sipas të dhënave në Agjencinë Statistikore të Kosovës në Komunën e Gjilanit vetëm në vititn 2013 janë braktisur gjashtë foshnje. /Insajderi.com

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.